13 vite nga tragjedia e Gërdecit/ Familjarët e viktimave: Drejtësia u sprovua dhe dështoi

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, në 13-vjetorin e kësaj tragjedie, thotë se ende drejtësia nuk është vënë në vend.

Nëpërmjet një reagimi, ata shprehen se drejtësia ka dështuar dhe se askush nuk pati kurajën të hetonte për zbardhjen e ngjarjes.

E ndërsa i drejtohen personave përgjegjës të kësaj tragjedie, ata thonë se  pavarësisht se mund të mendojnë që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë apo me ndonjë ambasadë, ata nuk i kanë mbyllur hesapet me ata dhe me popullin e këtij vendi.

Shpërthimi tragjik i Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

“Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit gjen rastin sot, në vitin e 13-të përkujtimor të tragjedisë së Gërdecit, të falënderojë dashamirësit që nga afër ose nga larg na japin kurajo për të vazhduar jetën dhe për të çuar luftën tonë për të drejtën deri në fund. Tashmë 15 marsi është bërë një ditë simbol për të vlerësuar drejtësinë, politikën dhe njerëzillëkun. Drejtësia u sprovua dhe dështoi. Pavarësisht se disa persona u dënuan, ata tashmë i lanë duart nga drejtësia dhe shumë të tjerë nuk u hetuan. Dëgjuam lloj-lloj emrash kafshësh që u përfolën, që lanë gjurmë mbi letra e fakse, por nuk pati askush kurajon të hetonte e ta zbardhte ngjarjen. Drejtësia e la të pagjykuar edhe ish ministrin që sot kandidon për deputet.

Pra, drejtësia nuk kapi as baxhanakët e djeshëm dhe as kunetërit e sotëm. Madje drejtësia ngatërroi edhe emrin e personit që i vuri zjarrin barutit. Drejtësia i la të lirë t’i ktheheshin biznesit apo politikës, që të ndërtojnë pallate për të qerasur politikën dhe kjo e fundit të qeverisë rehat pallatet. Jetët e humbura në 15 mars 2008 nuk kthehen më, por drejtësia mund të vendosej, me hir ose pahir. Me refome drejtësie apo jo. E megjithatë, “ortakëria politike” nuk deshi të bëhej drejtësi.

Dhe këtu vijmë te e dyta. Politika. Ajo u vu në sprovë dhe dështoi. Nuk u nxor asnjë leksion nga kjo tragjedi. Ligjet nuk u rishikuan për të mos lënë më të ndodhin ngjarje të tilla. Ligjet nuk u rishikuan për të bërë të mundur që hetimet të bëhen ashtu siç duhet. Madje, edhe reforma në drejtësi i vuri “tapën” çështjeve të vjetra, të kohës para reformës, që të mbyllte hesapet e vjetra me qëllim që t’i hapte rrugë pazareve të reja.

Njerëzillëku u vu gjithashtu në sprovë, por për fat të keq dështoi edhe ky. Dikur politikanët të të gjitha gjatësive e gjinive, zinin radhën për të bërë paradën e mbështetësve tanë, ndërsa sot kanë harruar çfarë ndodhi në Gërdec. Por, pa harruar që ata që gatuan vdekjen në Gërdec, me mbështetjen e politikës së vjetër, sot gatuajnë beton në Tiranë të bekuar nga politika e sotme e re. Sot, ne denoncojmë shëmtinë e politikes , që bëjnë sikur ishin dhe janë me ne kur në të vërtetë kanë bërë të gjitha përpjekjet për të na penguar në gjykatat vendase apo edhe në Strasburg, që ne të humbim të fundit amanet të atyre që nuk jetojnë më dhe të fitojnë ata që sot riciklohen në politikë si gjoja “kundërshtarët” e tyre.

Sot, ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i themi vrasësve që pavarësisht se mund të mendojnë që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë apo me ndonjë ambasadë, ata nuk i kanë mbyllur hesapet me ne dhe me popullin e thjeshtë të këtij vendi. Njohja e krimit dhe vënia e drejtësisë në vend i bën nder atyre që e bëjnë këtë dhe na vë në paqe ne viktimave të krimit. Njohja e krimit është hapi i parë i njerëzillëkut, ndëshkimi i tij i shërben drejtësisë dhe nxjerrja e leksioneve i shërben të ardhmes sonë të përbashkët. Deri atëherë, me mend në kokë o popull i thjeshtë i këtij vendi”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e Plotë

Deklarate per shtyp

e Shoqates se Familjarëve të Viktimave të Gërdecit

15.03.2021

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit gjen rastin sot, në vitin e 13-të përkujtimor të tragjedisë së Gërdecit, të falenderojë dashamirësit që nga afër ose nga larg na japin kurajo për të vazhduar jetën dhe për të çuar luftën tonë për të drejtën deri në fund. Tashmë 15 marsi është bërë një ditë symbol për të vlerësuar drejtësinë, politikën dhe njerëzillëkun.

Drejtësia u sprovua dhe dështoi. Pavarësisht se disa persona u dënuan, ata tashmë i lanë duart nga drejtësia dhe shumë të tjerë nuk u hetuan. Dëgjuam lloj-lloj emrash kafshësh që u përfolën, që lanë gjurmë mbi letra e fakse, por nuk pati askush kurajon të hetonte e ta zbardhte ngjarjen. Drejtësia e la të pagjykuar edhe ish ministrin që sot kandidon për deputet. Pra, drejtësia nuk kapi as baxhanakët e djeshëm dhe as kunetërit e sotëm. Madje drejtësia ngatërroi edhe emrin e personit që i vuri zjarrin barutit. Drejtësia i la të lirë t’i ktheheshin biznesit apo politikës, që të ndërtojnë pallate për të qerasur politikën dhe kjo e fundit të qeverisë rehat pallatet. Jetët e humbura në 15 mars 2008 nuk kthehen më, por drejtësia mund të vendosej, me hir ose pahir. Me refome drejtësie apo jo. E megjithatë, “ortakëria politike” nuk deshi të bëhej drejtësi.

Dhe këtu vijme të e dyta. Politika. Ajo u vu në sprovë dhe dështoi. Nuk u nxor asnjë leksion nga kjo tragjedi. Ligjet nuk u rishikuan për të mos lënë më të ndodhin ngjarje të tilla. Ligjet nuk u rishikuan për të bërë të mundur që hetimet të bëhen ashtu sic duhet. Madje, edhe reforëma në drejtësi i vuri “tapën” çështjeve të vjetra, të kohës para reformës, që të mbyllte hesapet e vjetra me qëllim që t’i hapte rrugë pazareve të reja.

Njerëzillëku u vu gjithashtu në sprovë, por për fat të keq dështoi edhe ky. Dikur politikatë të të gjitha gjatësive e gjinive, zinin rradhën për të bërë paradën e mbështetësve tanë, ndërsa sot kanë harruar cfarë ndodhi në Gërdec. Por, pa harruar që ata që gatuan vdekjen në Gërdec, me mbështetjen e politikës së vjetër, sot gatuajnë beton në Tiranë të bekuar nga politika e sotme e re.

Sot, ne denoncojmë shëmtinë e ploitikes , që bëjnë sikur ishin dhe janë me ne kur në të vërtetë kanë bërë të gjitha përpjekjet për të na penguar në gjykatat vendase apo edhe në Strasburg, që ne të humbim të fundit amanet të atyre që nuk jetojnë më dhe të fitojnë ata që sot riciklohen në politikë si gjoja “kundërshtarët” e tyre.

Sot, ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i themi vrasësve që pavarësisht se mund të mendojnë që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë apo me ndonjë ambasadatë, ata nuk i kanë mbyllur hesapet me ne dhe me popullin e thjeshtë të këtij vendi. Njohja e krimit dhe vënia e drejtësisë në vend i bën nder atyre që e bëjnë këtë dhe na vë në paqe ne viktimave të krimit. Njohja e krimit është hapi i parë i njerëzillëkut, ndëshkimi i tij i shërben drejtësisë dhe nxjerrja e leksioneve i shërben të ardhmes sonë të përbashkët. Deri atëherë, me mend në kokë o popull i thjeshtë i këtij vendi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT