“Tre ministrat e Arsimit të KÇK, sharxhinj e kujexhinj”. Marku i përgjigjet Ramës: Duroni deri më 25 prill

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Mark Marku i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas ironisë dhe thumbimeve që ky i fundit përdori ndaj tij në prezantimin e planit për arsimin.
Profesor Marku, i cili është drejtuesi i qarkut politik të Lezhës, thotë se Rama ka marrë përsipër të përgojojë të gjithë deputetët e opozitës. Ai shprehet se shqiptarët duhet të durojnë deri më 25 Prill.
“Edi Rama ka marrë përsipër të përgojojë gjithë ditën deputetët e opozitës, mes të cilëve edhe mua. Në fushatën e para katër viteve kishte si alternativë tepsinë e timonin dhe, e pamë se ku e katandisi Shqipërinë”, shkruan Marku.
Gjatë prezenatimit të programit të PS-së për Arsimin, Rama sulmoi Mark Markun, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshin. ” Kur drejtonin këta që duan të kthehen në drejtim për ta vënë arsimin në duart e Markut dhe Gjekmarkut. Ja ku i keni tre ministrat e Arsimit të KÇK. Dy personazhe të klubeve të natës mediatike dhe një zonjë e njohur vetëm për sharje. Të tre sharxhinj, që sharrë, dhe shajxhinj që shaj e shaj, kujexhi, që vë kujën për çdo gjë. Kundër çlirimit të shkollave, kundër, kundër. Tre ministrat e Arsimit të kohës që janë kundër kundër kundër. Vetëm imagjinojeni njërin. Njërin nga të tre në krye të arsimit dhe merrni me mend fëmijën tuaj. Mësuesit e fëmijëve tuaj, shkollën e fëmijës tuaj në duart e kujtdo prej këtyre të treve. Jam krenar që PS e çliroi shkollën dhe i ktheu mësuesin dinjitetin e tij. Sot mësuesit e vjetër që kanë aty vendin prej kohësh janë të palëvizshëm nga ai vend, ndërsa të rinjtë e fitojnë vendin e punës përmes një institucioni të pavarur “Mësues për Shqipërinë”, tha Rama.
Reagimi i plotë i Markut
Edi Rama ka marrë përsipër të përgojojë gjithë ditën deputetët e opozitës, mes të cilëve edhe mua.
Në fushatën e para katër viteve kishte si alternativë tepsinë e timonin dhe, e pamë se ku e katandisi Shqipërinë.
Këtë radhë ka marrë rrugët e Shqipërisë dhe po shan, shfryn bulçitë e tij të çakërdisur nga çmenduria dhe frika e humbjes së pushtetit mbarë e mbrapsht, këdo që i shkon ndërmend.
Mos ju përgjigjni!
Duroni deri me 25 Prill, ditën kur ky dështak, më i madhi dështak i kryeministrave shqiptarë të shporret prej jetës sonë, prej ekranëve.
Nuk kemi kohë për të humbur me të.
Paraqesim alternativën tonë për shërimin e plagëve, për ndryshimin e Shqipërisë.
Asnjë shqetësim për ato që thotë një kryeministër, i cili i bën të ndjehen me turp edhe pijanecët me gojështhurur të mejhaneve të skutave periferike.