Juristja: Presidenti shembull i keq, po tregon si mund të bëhet vetëgjyqësi

Juristja Brizida Gjikondi thotë se prezenca e presidentit Meta te zyrat e FRD-së, ku pak ditë më parë u regjistruan përplasje mes tij dhe policisë bashkiake, ishte qesharake dhe një shembull shumë i keq.
E ftuar në “PolitikON”, Gjikondi tha se me veprimet e tij Meta tregoi se si mund të bëhet vetëgjyqësi. Sipas saj, çdo mosmarrëveshje zgjidhet në gjykatën administrative, siç e parashikon dhe kontrata.
“FRD-ja ka pasur një kontratë 5-vjeçare me bashkinë e Tiranës për 5 vite që i mbaronte tani. Në atë kontratë thuhej që për çdo mosmarrëveshje do t’i drejtoheshin gjykatës administrative të shkallës së parë.
Ironia më e madhe këtu është se njëri nga nënkryetarët e bashkisë është nga FRD-ja. Prezenca e presidentit ishte qesharake dhe groteske dhe shembull shumë i keq se si mund të bëhet vetëgjyqësi duke mos i besuar kontratave dhe ligjeve.
Meta të kishte bërë të njëjtën gjë me Teatrin, doganën e Kukësit, Astirin dhe minierat, do të kishte sens, por të shkojë në një mosmarrëveshje personale, çka tregon se është një kakofoni politike”, tha juristja.