Tubime me qindra simpatizantë, Rama flet për herë të parë për Bashën: Injorancë dhe papërgjegjshmëri e madhe! Turpi u mbetet atyre

Kryeministri Edi Rama komenton për herë të parë takimet e kreut të PD Lulzim Basha, me qindra simpatizantë në qendrat e qyteteve. Sipas Ramës, këto sjellje janë shembuj të gabuar dhe situata absurde që tregojnë injorancë në një kohë të tillë.
Nga Fieri ku pa nisjen e vaksinimit për mësuesit, Rama tha se njerëzit duhet të bëjnë kujdes, ndërsa autoritetet do të vazhdojnë me vaksinimin, kurse ata që bëjnë takime të tilla “do mbajnë turpin e tyre”.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Është fatkeqësi e madhe që për shkaqe politike dhe për interesa partiake, dikush jep shembullin më të gabuar duke grumbulluar njerëz e duke ngritur gishtat mbi makina. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që njerëzit vet të kuptojnë se kjo është një luftë për shëndetin. Një luftë për jetën, një luftë realisht për jetë a vdekje.
Duhet të gjithë të bëjnë kujdes, të distancohen nga situatat absurde që tregojnë injorancë dhe papërgjegjshmëri të madhe nga ata që i krijojnë këto situata.
Fushatat, zgjedhjet, vendet në parlament, karriget, postet janë të gjitha 5 me hic përpara kësaj sfide dhe përpara këtij objektivi. Ne do vazhdojmë intensivisht vaksinimin, do kërkojmë të bëhet kujdes, turpi u mbetet atyre që e kanë.