KQZ merr vendim, Tom Doshi zyrtarisht kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 prillit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur regjistrimin e listës shumëemërore të Partisë Social Demokrate në zgjedhjet e 25 prillit.
Pavarësisht kundërshtive nga PD, KQZ ka lejuar kandidimin e Tom Doshit në Zgjedhjet e 25 prillit.
Ivi Kaso kërkoi përjashtimin e PSD nën argumentin se kryetari i saj Tom Doshi është shpallur në listën e zezë amerikane
“Ne e kemi bërë qëndrimin tonë publik, që shkon në vijën e ditur tashmë, kur kandidati ka një vendim dëbimi, që barazohet me vendimin penal, se shumë vende e ka dëbimin si alternativ si burg apo një vepër penale dhe nga qëndrimet publike të vendeve që kanë marrë këtë lloj mase, duhet të ishin marrë parasysh, që të verifikohen rastet jashtë territorit të vendit, që të trajtohen me seriozitetin e duhur, ne jemi të mendimit që subjekti nuk i lind e drejta të kandidojë”, deklaroi Kaso.
Ilirjan Celibashi deklaroi se nga verifikimet e bëra, Tom Doshi nuk është në kushtet e ndalimit të kandidimit, prandaj ka marrë edhe “OK” nga KQZ.
“Të gjitha ato që kërkohen në dokumentacion janë në përputhje. S’ka kusht që ndalon kandidimin e Tom Doshit, s’kemi shkelje,“-tha Celibashi gjatë fjalës së tij në mbledhje.