KQZ i ‘fshiu’ 78 kandidatë/ Reagon PD: Vendim i paligjshëm, maxhoranca synon të…

Partia Demokratike e ka quajtur “të padrejtë dhe të paligjshëm” vendimin e KQZ ditën e sotme, që ‘fshiu’ 78 kandidatë nga lista shumëemërore e dorëzuar nga PD dhe aleatët e saj, nën koalicionin “Aleanca për ndryshim”.
Ky vendim i KQZ erdhi pasi PD kishte depozituar 231 emra, kur pranohen vetëm 153 dhe për këtë u miratua vetëm lista e kandidatëve të barasvlershëm me numrin e mandateve për secilin qark.
Por, në një reagim për mediat, PD thotë se ky vendim është i “diktuar nga interesat politike të maxhorancës”.
Sipas tyre, PS synon të imponojë rregulla të reja, me qëllimin që të pamundësojë përfaqësimin e plotë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit të PD.
“Asnjë vendimarrje e tillë nuk ka për të penguar koalicionin tonë që të garojë me potencialin e tij të plotë, njerëzor dhe programor. Kjo vendimarrje, si të gjitha vendimarrjet e padrejta, do të ankimohet menjëherë nga ana jonë në të gjitha shkallët ankimore”, thuhet në reagimin e PD, mes të tjerash.
Reagimi i plotë:
Vendimi i sotëm i KQZ për mosregjistrimin e plotë të listave të koalicionit është një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, i diktuar nga interesat politike të maxhorancës.
Pasi ndryshoi rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme, maxhoranca synon të imponojë rregulla të tjera, të cilat pamundësojnë përfaqësimin e plotë dhe të drejtë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit tonë. Këto rregulla të njëanshme synojnë që të lënë të lënë të papërfaqësuara parti të cilat përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore dhe komunitete të caktuara, veçanërisht minoritetet.
Asnjë vendimarrje e tillë nuk ka për të penguar koalicionin tonë që të garojë me potencialin e tij të plotë, njerëzor dhe programor. Kjo vendimarrje, si të gjitha vendimarrjet e padrejta, do të ankimohet menjëherë nga ana jonë në të gjitha shkallët ankimore.
Asgjë nuk do të na ndalojë të sjellim ndryshimin në Shqipëri me njerëzit tanë të mrekullueshëm, që kanë nevojë dhe e duan kaq shumë ndryshimin! Ne do ta bëjmë të mundur këtë në datën 25 Prill me ndihmën e të gjithë shqiptarëve.