Valë tjetër infektimesh në prag të zgjedhjeve? Tomini: Deri në mes të prillit mund të kemi…

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, ka folur për një valë tjetër infektimesh me koronavirus në vendin tonë, referuar faktit se ndodhemi para fushatës elektorale.
Lidhur me këtë, zv.ministrja Tomini u shpreh se “Aktualisht ne kemi një zbirtje dhe janë këto 5-javorët që përsëriten. Nëse do të kemi respektim korrekt të masave, edhe pse mirëkuptojmë popullatën, që është lodhur e mërzitur, situata do jetë më e qetë. Por duhet akoma bashkëpunim. Shpresojmë që deri në mes të prillit të kemi aplikuar një numër të konsiderueshëm vaksinash”, tha ajo në news24.
Më tej, Tomini u ndal te shifrat e koronavirusit, ku ditët e fundit është vënë re një rënie e numrit të të infektuarve, por vijon të mbetet i lartë numri i viktimave.
“Kemi një rënie të qëndrueshme të shifrave prej disa ditësh. Kjo lidhet edhe me masat, që kanë dhënë efektin e tyre. Jemi ende herët për të diskutuar një nivel pragu përkundrejt të infektuarve. Vaksinimi që ne synojmë, do të ulë transmetueshmërinë. Niveli i rënieve të infektimit nuk ka lidhje me viktimat 24-orëshe, sepse tranziti i pacientit nuk reflekton 24 apo 48 orëshin, por kërkon një periudhë 2-3 javore. Në periudhën e shkurtit, ku qarkulluan mutacionet dhe kishim transmetueshmëri të lartë edhe te grupmoshat e reja, u reflektua fakti i numrit të lartë të fataliteteve”, u shpreh ajo./BW