“Luli, një kukull për t’i dhënë buzëqeshje”/ Rama: I kanë humbur shanset për ta drejtuar vendin

Nga Elbasani, ku prezanton kandidatët për deputetë të PS-së në këtë qark, kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën.
Rama u ndal tek lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku tha se përdoret nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.
“I kanë humbur shanset për ta drejtuar këtë vend, ndërsa sot janë të gjithë bashkë, ndërkohë që në zgjedhje futen medemek veç e veç. Demokratëve ju thuhet votoni PD, por për çfarë? Për të marrë Monika Kryemadhin, apo të tjerët që nuk kanë çfarë t’i ofrojnë shqiptarëve. I kanë pasur të gjitha shanset që t’i tregojnë shqiptarëve se çfarë janë në gjendje të bëjnë.
Ne këtu nuk vijmë duke rrahur gjoksin për të thënë se çfarë kemi bërë, por për t’ju thënë se jemi në përpjekje për të bërë më të mirën, duke reflektuar në skuadrat tona atë që është kërkesa bazë e shoqërisë. Një pasqyrë ku gratë dhe vajzat janë një forcë e madhe, jo sepse e kërkon ligji.
Çfarë ofrojnë ata për Shqipërinë, një koalicion ku Iliri dhe Saliu vënë në thundrën e tyre drejtësinë, një koalicion ku Saliu, Ilir dhe Monika… “sepse Luli është një kukull për t’i dhënë buzëqeshje pamjes”, i bëjnë karshillëk dynjasë”, u shpreh kryeministri.