Mbërrijnë në Shqipëri 10 mijë vaksina ‘Sputnik’, ja kush i dhuroi

Kanë mbërritur në vendin tonë 10 mijë doza të vaksinës Sputnik, dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, të pranishëm në Aeroportin e Rinasit, vlerësuan ndihmën e Emirateve të Bashkuara, ndërsa u shprehën se priten doza të tjera vaksinash nga negociatat që po zhvillohen.

“10 mijë dozat e vaksinës Sputnik, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe tashmë kanë mbërritur dhe do të shtrijmë edhe më gjerë vaksinimin. Do të vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë vaksinimin masiv të popullatës dhe të parapërgatitemi për të qenë më të lehtësuar edhe për turizmin”, deklaroi Manastirliu.

Ndërsa ministri Ahmetaj u shpreh: “Në emër të qeverisë shqiptare falenderojmë qeverinë e Emirateve dhe Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed. Na u gjendën me tërmetin, po gjenden edhe me Pandeminë”, tha Ahmetaj.

Manastirliu nënvizoi se Komiteti i Imunizimit ka dhënë garancinë për përdorimin e vaksinave.

“Komiteti i Imunizimit dhe gjithë strukturat të cilat merren me certifikimin, sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave tashmë kanë dhënë prej disa javësh garancinë për vaksinat, që ofrojnë siguri dhe efikasitet”, tha Manastirliu.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT