Rama akuzoi komisioneren se bëri fushatë për Bashën/ Reagon Brukseli: Nuk ndërhyjmë në…

Zyra e shtypit e Komisionit Evropian në Bruksel hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit Edi Rama për një rol të komisionerëve në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një reagim për Euronews Albania, zëdhënësja për shtyp e KE, Ana Pizonero theksoi se aktiviteti i sotëm me PD ishte në nivel rajonal dhe pa asnjë ndikim në situatën politike shqiptare.

“Komisioni nuk komenton mbi komentet e palëve të treta. Lutemi të keni parasysh që Komisionerja Mariya Gabriel mori pjesë në Tryezën e 18-të Rrumbullakët mbi Arsimimin, me ftesë të Universitetit Modul të Vjenës, i cili është organizatori i këtij eventi. Pjesëmarrja e komisioneres ishte e kufizuar vetëm në dhënien e një fjalimi kryesor”, tha zëdhënësja e KE.

“Fjalimi, i cili është i publikuar në faqen e internetit të Komisionit, është i fokusuar mbi iniciativat e fundit evropiane në fushën e arsimimit dhe të kërkimit, të cilat vlejnë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Komisionerja nuk bëri ndonjë deklaratë për ndonjë parti politike, por mbajti një fjalim mbi çështjet që kishin të bënin me fushën e saj”, thuhet në reagim.

Çfarë deklaroi Rama

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në rrjetet sociale pas videokonferencave të realizuara ditët e fundit nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me komisionerët e BE-së, Johannes Hahn dhe Mariya Gabriel. Sipas kreut të qeverisë, kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi dhe kërkoi një reagim zyrtar nga Brukseli.

“Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE! Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre!,”-tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT