Erdogan apel Kurtit: Zhvendos ambasadën e Kosovës nga Jeruzalemi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të rishikojë çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem të Izraelit.
“Pasiqë e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës u njoftua se është bërë në Jeruzalem, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj që të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në letrën e urimit, të cilën Erdogan i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me rastin e zgjedhjes së tij në këtë pozitë.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jeruzalem.
Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jeruzalem më 14 mars.
Departamenti amerikan i Shtetit e pati mirëpritur vendosjen e lidhjeve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, duke e quajtur këtë ditë si historike.
Edhe Serbia kishte marr obligim që ta zhvendosë Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem, por deri më tani kjo gjë nuk kanë ndodhur.
Përveç Turqisë, edhe Bashkimi Evropian e kishte kritikuar vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në BE.
BE-ja e konsideron statusin e Jeruzalemit si çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe autoriteteve palestineze.
Qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017 dhe në bazë të këtij vendimi ta bartin edhe ambasadën në Jeruzalem, nga BE-ja asnjë shtet nuk e ka ndjekur një hap të tillë.
Këtë muaj, Çekia ka hapur një zyrë diplomatike në Jeruzalem, por ambasadën e ka në Tel Aviv./ REL