Video/ Pas dy ditë tentativash, IKMT shemb me tritol pallatin te Astiri

Inspektoriatit shtetëror (IKMT) i janë dashur dy ditë për të shembur një pallat në zonën e Astirit.
Një ditë më parë forcat e IKMT-së vendosën një sasi të konsiderueshme të lëndës eksplozive, C4, por nuk arritën të rrëzonin pallatin disa katësh. Ky aksion shkaktoi jo pak panik në zonë, pasi shumë familje nuk ishin njoftuar në kohë.
Ndërkohë nga shpërthimi i fortë pasojat janë ndjerë deri në banesat përreth, pasi janë dëmtuar muret dhe janë thyer xhamat e shtëpive si dhe është përhapur panik dhe frikë te banorët.
Sot në drekë, IKMT ka tentuar për herë të dytë që të rrëzoi pallatin dhe ka arritur ta shembë ndërtesën. Re të shumta tymi pushtuan zonën për disa minuta.
IKMT thotë se sot u përdoren 10 kilogramë lëndë shpërthyese, që u vendosen në 350 furnela (vrima) të hapura në trupin e objektit.
Objekti 7 katësh i shembur sot ishte i vendosur në gjurmën ku do të ndërtohet Unaza e Madhe e Tiranës.