Xhaxhai i 33-vjeçarit futet brenda magazinës së djegur, nuk pranon të dalë pa gjetur trupin. Thirrje Ramës e Metës: Na ndihmoni të gjejmë kockat e djalit

Naim Sala, xhaxhai i Arjan Salës ka hyrë bashkë me një ekip të zjarrfikëses brenda magazinës për të bërë kërkime për trupin e 33-vjeçarit.
Teksa ekipi ka dalë jashtë godinës, xhaxhai nuk ka pranuar të dalë, duke qëndruar disa minuta në katin e nëndheshëm të magazinës.
Një grup zjarrfikësish kanë kërkuar nga familjarët që dikush prej tyre t’i shoqërojë për të identifikuar trupin nëse gjendet, ndërsa pasi kanë qëndruar disa minuta brenda, grupi ka dalë, ndërsa Naim Sala jo.
Xhaxhai i Salës shprehet se nuk duhet lënë një hero si Arjan Sala pa u qarë në mënyrën e duhur, pasi ka sakrifikuar jetën e tij për të shpëtuar 25 punonjësit e tjerë.
Ai tha se shteti shqiptar mund të kërkojë ndihmë nga shtetet e tjera.
“Nesër e mbrapa nëse thirrja ime nuk dëgjohet nga askush, nuk besoj se policia do na kundërshtojë, por do të heqë uniformën dhe do të futet bashkë me ne që të kërkojmë kockat e djalit. Zjarrfikësit nuk është se nuk janë profesionistë, por i kanë shkrirë mundësitë e tyre. Ju lutem zoti kryeministër, zoti President na kushtoni pak kohë, mblidhuni për një hero që shpetoi jetë njerëzish. Të mos shkojë i humbur, të kemi ku ta qajmë me diçka të vogël. Kërkoni ndihmë nga shtetet fqinje, nga ato që kanë ndihmuar edhe në tragjeditë e mëparshme”, tha xhaxhai i Salës.
Familjarët, sipas burimeve kanë vendosur kusht ndaj autoriteteve që nëse përgjatë gjithë natës së sotme kërkimet nuk çojnë në zbulimin e trupit të 33 vjeçarit, nesër në orën 08:00 do të futen brenda magazinës dhjetra persona të afërm për ta kërkuar trupin.
Ata kanë bërë apel ndaj shtetit që të vendosë në funksion mjetet dhe personelin e duhur dhe gjithashtu u bëjnë apel ekspertët dhe profesionistët në vend që vullnetarisht të angazhohen në operacionin e kërkimit.
Arjan Sala, 33 vjeç, prej tre ditësh tashmë gjendet i bllokuar brenda magazinës së djegur, pa asnjë gjurmë të trupit të tij.
Ai mbeti brenda pasi kishte shpëtuar disa persona nga zjarri i madh që përfshiu magazinën.