VIDEO/ Rama ia shtron me pica në Krujë, përzë në shtëpi kalamajtë: A mbaruat? Ec shpejt

Pasi zhvilloi disa takime me qytetarët në Krujë, kryeministri Edi Rama, bashkë me ministren Milva Ekonomi, Artur Bushin dhe Eglantina Gjermenin, u ndal në një restorant për të konsumuar pica.
Pasi u fut brenda në picerinë e hapur rishtazi, kryeministri thirri: O shef, o shef, e mbajtëm fjalën!
Teksa lexonte numrat e picave, Rama bëri edhe disa batuta, pasi Bushi zgjodhi picën me numrin 8.
Ndërsa ministres Ekonomi, Rama i sugjeroi numrin 1, duke i thënë se ajo është e para, ndaj dhe duhet të marrë këtë numër.
Edi Rama: Paska 26 lloje, e…numri 12 qenka primavera, ta marrim? Ju merrni ç’të doni.
Edi Rama: Cilën 8 more? Kush është 8? Kujtim Gjuzi…merr 12 aty dhe mos e luj.
Edi Rama: Kalamajve jepu ç’të duash.
Më pas shefi i qeverisë i drejtohet njëri prej punonjësve, duke i thënë se do i sjellin fat
“Milvën e ke me këmbë të mbarë se për të ngrënë është njish. Edhe Eglantina është me këmbë të mbarë sepse është njish për të mos ngrënë. Mua më ke si hudhër për të tremb syrin e keq”, tha Rama.
Ngjitur me kryeministrin, në një tavolinë tjetër, ishin edhe disa fëmijë, të cilët i “përzuri”.
“Sa është ora more, shkoni në shtëpi. A mbaruat? Ec shpejt se nuk iu ka dhënë leje babi për të nejt vonë, çohuni. Sa është ora, sa është ora? 7. Nuk ka kohë ikni.”- tha Rama./Gazeta SHQIP