SHËNIM/ Shqipëria nuk është vetëm e mashtruesve të fushatave, e bandave dhe e atyre që shëtisin me makina luksi… Është edhe e të heshturve që mezi nxjerrin muajin

Entela Resuli
Shqipëria dhe Tirana nuk është vetëm ajo e bandave dhe e atyre që shëtisin me makina luksi. Është edhe e atyre që çohen herët në mëngjes, për të punuar një punë që i mban 10-12 orë larg familjes. Me rroga qesharake që nuk kalojnë dot muajin.
Stërmundohen, pa shpërblimin e merituar, pa pushim, shpesh herë duke ju nëpërkëmbur edhe dinjitetin. Punëdhënësit nuk e respektojnë atë që e kanë marrë për të bërë punën, por e shohin si skllavin e tyre, jo si ndihmës apo aleat. Të kapur ngushtë në këtë vorbull ku nëse nuk punon vdes, janë të detyruar të durojnë dhe të sakrifikojnë nervat, shëndetin dhe jetën e tyre.
Punojnë për të marrë frymë, se të bësh pushime apo blesh një banesë në këtë qytet ku metri katror i ka kaluar 1 mijë euro as nuk behet fjalë për një familje të re.
Janë të pasigurt në punë, mund të aksidentohen dhe të vdesin, të lënë fëmijët jetim e shteti bën sikur nuk shikon, sikur nuk kupton apo sikur nuk ka përgjegjësi për jetët e njerëzve të vet.
Nuk ka fonde për zjarrfikëset, por ndërkohë ka para për të veshur sheshe të tëra me ekrane led, ku transmetohet fushata elektorale dhe ku të parët e listave dalin dhe premtojnë… parajsën nën duartrokitjet e skllevërve.
Po a nuk mendoni se një ditë do të shkoni në djall me gjithë premtimet tuaja!?