Vaksinimi masiv i qytetarëve, transformohet sheshi “Skënderbej” (FOTO)

Sheshi “Skënderbej” ka marrë një pamje krejt ndryshe ditën e sotme. Kjo për shkak se aty janë vendosur tendat ku po kryhet procesi i vaksinimit masiv. Njerëzit që janë lajmëruar nga qendrat shëndetësore, janë paraqitur pranë tendave që të marrin vaksinën anti-Covid.
Siç shihet edhe nga fotografitë e realizuara te sheshi, qytetarët presin në radhë për t’u vaksinuar. Pasi kontrollojnë emrin në listë, ata afron pranë pikës ku do marrin vaksinë.
Dy çadra të mëdha janë ngritur dhe bërë gati gjatë natës, ku secila ka nga 10 pika vaksinimi për qytetarët. Vaksinimi te sheshi “Skënderbej” ka filluar për moshat mbi 70 vjeç, të cilët janë lajmëruar nga mjeku i familjes.
Në ndihmë të bluzave të bardha janë bashkuar edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa pritet të plotësohet plani ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishin të pranishëm për të parë nga afër nisjen e vaksinimit masiv në shesh. Ata kanë përshëndetur qytetarët që po vaksinohen.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë është shprehur i bindur se vaksinimi i të gjithë popullatës do të mundësohet pranverën e ardhshme, por gjithashtu theksoi se mund të realizohet edhe më para.
Nga ana tjetër, ministrja Manasirliu theksoi se qendra e vaksinimit masiv do të mundësojë kryerjen nga 800 deri në 1000 vaksinime në ditë.
Në sheshin Skenderbej janë angazhuar 88 vaksinatorë për të kryer rreth 1000 vaksinime, ndërsa bashkë me qendrat shëndetësore të Tiranës pritet të kryhen rreth 3 mijë vaksinime sot. Në të gjithë vendin synohet të kryhen rreth 10 mijë vaksinime në ditë.
Sipas grupmoshave, bazuar në planin kombëtar të vaksinimit, vijohet fillimisht me grupmoshën +85 vjeç dhe +80 vjeç të cilët do të vaksinohen në qendrat e tyre shëndetësore, ndërsa grupmosha +75 vjeç dhe duke zbritur tek ajo +70 vjeç, do të vaksinohen në qendrat e vaksinimit të përqendruar.
Që prej fillimit të procesit të vaksinimit, në të gjithë vendin janë kryer mbi 65 mijë vaksinime.