“Këta njerëz si Bashkimi i duhet këtij vendi”/ Miqtë kujtojnë Finon: Vërtet ishte i PS-së, por sillej…

Lajmi i ndarjes nga jeta e Bashkim Finos, në moshën 58-vjeçare trishtoi kolegët, miqtë dhe qytetarët e thjeshtë. Puntata e sotme e emisionit “Shqipëria Live” iu dedikua pikërisht Finos, ku miqtë dhe kolegët kujtuan momentet më të veçanta me të.
Historiani i njohur, Neritan Ceka, u shpreh se Bashkim Fino solli dimensione perëndimore në politikë. “I qëndroi një situate politike shumë të vështirë. Kur u bë projekti i rindërtimit të shtetit, u mblodhën njerëz nga opozita dhe pozita, Fino hyri në dimensione të reja politike, la gjurmë. Me humorin dhe elegancën që e karakterizon”, tha Ceka.
Deputeti Ervin Bushati u shpreh se Fino ishte miku i të gjithëve, ku edhe sot ka bërë bashkë të gjithë.
Një shqiptar i mirë që ka punuar që në ‘97 për Shqipërinë, në momentet më të vështira. Ishte shumë i sjellshëm, i dashur. Ishte njëkohësisht shumë simpatik në sjelljen e tij me shumë takt. Kishte një prirje miqësore me marrëdhëniet që kishte me të gjithë. Mbaj mend që në korridore, apo jashtë kamerave, ishte ai njeriu që fliste njësoj si për kolegët e maxhorancës dhe opozitës. Tifoz pas futbollit, dhe çdo takim e niste me futbollin, e kishte si pikënisje për një bisedë. Me ironinë që kishte, duhej të ishe i kujdesshëm se çfarë do thoshe, e kishte nuancën e humorit të gjirokastritit. Duhej të ishte 100 për qind i vëmendshëm, sepse fliste seriozisht e më pas kuptoje se po bënte shaka. Sillte gjithmonë atë anën pozitive”, tha Bushati.
Ndërsa ish-presidenti, Alfred Moisiu, thekson se “vendit i duhen njerëz si Bashkim Fino”. “U befasova shumë se ishte i ri. Këta njerëz si Bashkimi i duhet këtij vendi. Për mentalitetin, punën, botëkuptimin që kanë. Kemi nevojë për njerëz që e mbështesin bashkëpunimin midis shqiptarëve. E kam njohur në ’95 kur ishte kryetar i bashkisë Gjirokastër. Më bëri përshtypje mënyra si fliste gjatë bisedës. Vërtet ishte i PS-së por sillej si kryetar bashkie, që interesohej për interesat e qytetarëve. Shqipëria ka njerëz të mirë për të gjitha detyrat por e mira është që këta njerëz të dalin në krye, që nuk duan sherre”, tha Moisiu.
Nga ana tjetër, deputeti Arben Malaj, kujton me nostalgji momentet e bukura me mikun e tij. “Kemi qenë miq shumë të mirë, dhe ai si me të qeshur u martuar me shoqen tonë, Dianën. Kishte një qetësi të jashtëzakonshme. E shikonim si gjirokastrit kërnac, por nuk ishte ashtu. Sa herë vinte në shtator, pasi kishte punuar gjatë verës, ndante çdo gjë. Të gjitha gatimet që i dërgonte nëna i hapte në tavolinë dhe i hanim bashkë. Ka qenë periudhë që do mbahet mend”, zbuloi Malaj.