Heqja e pasaportave diplomatike të ekipit kombëtar, ministrja Xhaçka e pranon: Shumë zhurmë për asgjë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas lajmit të publikuar në media se lojtarëve të kombëtares iu është hequr pasaporta diplomatike dhe se afati i përdorimit të tyre është deri më 30 qershorit të këtij viti.

Xhaçka në një reagim në rrjetet sociale duke pranuar njëherësh këtë vendim, shton se po bëhet shumë zhurmë për asgjë.

“Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti”, shprehet ministrja.

Më tej ajo thekson se ajo që nuk ka mbaruar është mirënjohja e lojtarëve të kombëtares që realizuan ëndrrën duke kualifikuar për herë të parë në një kompeticion siç ishte Kampionati Europian i Futbollit.

“Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë. Është kjo arsyeja përse djemtë tanë sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016”, mbyll reagimin e saj, Xhaçka.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT