“Kafshoi dorën që e ushqeu prej dy dekadash”, Kosova sipas BBC
Nëse Kosova është ende e angazhuar në rrugën për të ardhmen euro-atlantike, duket se e ka humbur ca si shumë këtë rrugë. Kështu shkruan media britanike BBC, lidhur me lajmin historik nga Kosova, që do krijojë ushtrinë e saj, një nismë e votuar nga të gjithë deputetët e Kosovës në Kuvend, përveç listës serbe.
BBC shkruan se në fillim Kosova ngriti tarifën me 100% ndaj produkteve serbe, ndërsa tani vjen ushtria. Të dyja këto vendime janë në kundërshtim me paralajmërimet, presionet dhe lutjet nga Bashkimi Evropian dhe NATO. Votimi për ushtrinë i referohej transformimit të FSK-së, dhe tani do ketë një ushtri profesionale me 5000 vetë. Dy dekada pas tërheqjes së forcave serbe, siguria e Kosovës është ende e garantuar nga 4,000 trupa të NATO-s, të njohur si KFOR. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, është aq e inatosur nga votimi sa tha se presidenti Vuçiç ka kërkuar mbështetje nga Rusia dhe Kina.
Por pas votimit, Brnabiç u tregua më e matur duke premtuar se Serbia do të qëndronte në rrugën e saj të paqes dhe prosperitetit. Serbia e sheh forcën ushtarake të kontrolluar nga Prishtina si një kërcënim ndaj pakicës etnike serbe prej 120,000 vetësh në Veri të Mitrovicës. Serbia nuk njeh Kosovën, e cila shpalli pavarësinë 10 vjet më parë, shkruan BBC teksa shton se për NATO-n votimi i sotëm krijon një problem.
“Më vjen keq që plani për të nisur ndryshimin/ transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës u votua, pavarësisht nga shqetësimet e shprehura nga NATO”, tha sot Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. Ai paralajmëroi se aleanca ushtarake perëndimore duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit me forcat e Sigurisë në Kosovë.
Të gjitha bisedat në Ballkanin Perëndimor ishin rreth shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre të gjatë, pas gjashtë vjet negociatave të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Kosova ndihmohet nga misioni më i madh civil i Bashkimit Evropian, si dhe nga KFOR-i. Gjithashtu përfiton shuma të mëdha përmes ndihmave ndërkombëtare. Pra, sipas BBC, kemi të bëjmë me një element ku Kosova kafshon dorën që e ka ushqyer për dy dekada, pasi kryeministri Ramush Haradinaj akuzoi shefen e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini për “mbytjen” e bisedimeve.
“Ajo ka transformuar dialogun mbi normalizimin në një dialog me shkëmbime territoresh, gjë që ka shkaktuar dëm në rajonin tonë”, citohet Haradinaj.
Por sa e vërtetë është kjo?
“Kjo gjë definitivisht shkon kundër frymës dhe bashkëpunimit në rajon”, tha Mogherini të hënën duke shtuar: Unë pres që qeveria e Kosovës ta revokojë këtë vendim, por ende jam e bindur se të dy palët mund të vazhdojnë me sukses dialogun”.
Të tjerët janë më pak optimistë…
Çfarë do të ndodhë tani?
“Jam shumë i shqetësuar për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, më shumë tani sesa kam qenë për një kohë të gjatë”, thotë James Ker-Lindsay, një specialist i çështjeve të Ballkanit i cili shton se: “Dialogu nuk ka qenë i mirë prej disa vitesh, por ka pasur një ekuilibër të caktuar. Tani nuk dihet se ku po shkon ky ekuilibër. Vendosmëria e Kosovës për ta kthyer forcën e armatosur në një ushtri i ka përkeqësuar gjërat”. Duket e paimagjinueshme që Kosova t’i kthejë shpinën Brukselit. Por, të paktën për momentin e ka shpërfillur, shkruan BBC, përkthyer nga Tiranapost.
Artikullin origjinal e lexoni KËTU/ZgjohuShqiptar.info