Dështon raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës

Ka dështuar në Kuvendin e Kosovës raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, ku në garë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejtja.
Në sallën e Kuvendit të Kosovës ndodhen 82 deputetë, por vetëm 78 prej tyre morën pjesë në votim.
Sipas Kushtetutës të Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Mësohet se dy deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti dhe Agim Veliu nuk po marrin pjesë në votim
Dy vota surprizë janë hedhur në kutinë për të zgjedhur kreun e shtetit të Kosovës. Bëhet fjalë për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj dhe për ish-presidentin Behgjet Pacolli.
Reshitaj ka qenë surprizë pasi AAK zyrtarisht është shprehur se nuk do të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, por deputetja duket se ka dalë kundër rrymës. Më herët edhe Pacolli ishte një zë kundër për Osmanin.