Bllokimi i trafikut ajror, Balluku ultimatum kontrollorëve: Keni dy mundësi, vendosni dhe zgjidhni

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u ka bërë thirrje kontrollorëve që të dalin nga zyrat ose të fillojnë punën.
Balluku paralajmëroi se me bllokimin e trafikut ajror në Rinas nga greva e kontrollorëve do të merren masa ligjore, pasi ky është cënim i sigurisë kombëtare.
“Në 2019, viti i fundit i rregullt, kanë operuara 216 mijë avionë. Ndërkohë gjatë 2020 kanë pasur 102 mijë avionë. Trafiku ka rënë 57%.
Një pjesë e kontrollorëve janë të kapur nga politika. Sot një çetë ka marrë peng hapësirën ajrore shqiptare, të këshilluar nga mjeshtrat e politikës.
E gjithë Shqipëria është dëshmitare se ju keni braktisur punën, pavarësisht se po qëndroni brenda në godinë. Nuk ka kush t’iu mbrojë.
Nga ky moment kontrollorët kanë braktisur detyrën, prandaj ndërtesa e sigurisë së lartë nuk mund të lihet në mëshirë të fatit. Të gjithë ata persona që nuk duan të bëjnë detyrën të largohen nga ndërtesa. Të gjithë ata që duan të vazhdojnë punën, do ishte kënaqësi për ne që të kthehen në detyrë.”, tha Balluku.
Ajo thotë se kontrollorët kanë përveç pagave të larta edhe privilegje të tjera, si fakti që punojnë vetëm 17 ditë në muaj, apo 205 ditë në vit.