A do të mbajnë përgjegjësi penale, kontrollorët e Rinasit?

Një ngjarje e paprecedentë për një shtet normal, anëtar të NATO-s, po ndodh prej disa orësh në Shqipëri.
Fluturimet në aeroportin e Rinasit dhe për rrjedhojë në gjithë vendin, janë bllokuar, duke paralizuar një shtet të tërë dhe duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare.
Një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur as në vitin e mbrapshtë e të përgjakshëm të 1997-ës, kur ligjin e bënin bandat, por kanë mjaftuar 60 kontrollorë për të marrë “peng” vendin.
E gjitha po ndodh për “tekat” e punonjësve të AlbControl, të cilët thonë se janë të pakënaqur me 2400 dollarë pagë dhe kanë braktisur punën . Ata kanë deklaruar se janë të paaftë për të punuar për shkak të stresit që u ka krijuar ulja e pagës, nga 4400 dollarë në 2400 dollarë. Një argument qesharak, nëse e krahason me pagën mesatare në Shqipëri dhe me uljen e ndjeshme të trafikut ajror për shkak të pandemisë, e që normalisht ndikon edhe në të ardhurat.
Pse është i rrezikshëm pezullimi i punës nga kontrollorët?
Aeroporti i Rinasit “Nënë Tereza” është objekt strategjik me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe me pezullimin e punës, kontrollorët kanë vënë në rrezik një shtet.
Aktualisht në vendin tonë nuk kryehet asnjë fluturim. As fluturimet e një rëndësie të veçantë si rastet e ndonjë sëmundje, apo qoftë edhe për ardhjen e vaksinave, nuk kryhen në vendin tonë. Gjithçka është e paralizuar. Mbi Rinas nuk ulet dhe as nuk ngrihet asnjë avion.
Edhe pse qartësisht kemi të bëjmë me një “grevë”, “rebelim” apo çfarëdo tjetër, kontrollorët po tentojnë ta argumentojnë vendimin e tyre me “paaftësi të përkohshme”. Braktisja e punës, është hapur cënim i sigurisë kombëtare.
Kontrollorët, në vend që të zëvendësohen menjëherë nga persona të tjerë, për të rihapur kështu edhe fluturimet, vijojnë të mbajnë të bllokuar zyrën dhe trafikun ajror, ndërsa politika luan “ping pong” me deklarata.
Çfarë thotë ligji
Ligji është shumë i qartë. Ndalohet në mënyrë kategorike greva për punonjësit e kontrollit ajror. Sipas nenit 197/5 të Kodit të Punës ndalohet greva për disa shërbime jetike, ku në shkronjën ç të pikës 2 të këtij neni thuhet qartë që ndalohet greva për shërbimet e kontrollit të trafikut ajror.
Kodi i Punës përcakton në nenin 197/5 shërbimet që vlerëson si jetike, duke theksuar se “greva dhe ndërprerja e punës nuk mund të ushtrohet në rast se ajo rrezikon jetën, sigurinë personale, ose shëndetin e një pjese, apo të tërë popullsisë”.
Ndaj pyetja që shtrohet është, a do të mbajnë kontrollorët përgjegjësi penale? Sa kohë do zgjasë “marrja peng e vendit”? Kur do rifillojnë fluturimet?
Sigurisht që negociimi i pagës është e drejtë e tyre, por braktisja e punës dhe lënia e mijëra qytetarëve rrugëve është shkelje flagrante e ligjit, që i ngarkon me përgjegjësi penale.
Ushtria merr në kontroll Rinasin
Aktualisht Rinasi është blinduar nga ushtria dhe policia. Forcat e Armatosura kanë rritur vigjilencën për të garantuar ruajtjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit, veçanërisht pas bojkotimit të punës nga kontrollorët e kompanise.
Edhe pse u paralajmërua largimi nga zyrat e punës të kontrollorëve, ende nuk është bërë asnjë lëvizje. Ata vijojnë bojkotin, i cili nëse nuk ndërhyhet, pritet të zgjasë deri të enjtën në 10:00.
Gazeta Shqip