Një ‘vend pëllumbash’ ku të gjithë kanë dërguar njerëzit e tyre dhe dyshimet e pashmangshme nga pyetja: Pse pikërisht tani?

Nga Bedri Islami
Që nga dita e djeshme, të gjitha fluturimet për dhe nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit janë ndërprerë.
65 KONTROLLORËT E TRAFIKUT AJROR KANË SHPALLUR “PAAFTËSINË” E TYRE PËR TË VAZHDUAR DETYRËN.
Është një rast i pashembullt, sidomos në kohë pandemie, kur çdo vëmendje është përqendruar te lëvizja e qytetarëve dhe sidomos e vaksinave. Si shkak të “paaftësisë” së tyre ata kanë gjetur shkurtimin e pagave mujore.
Është vërtet kështu dhe pse është gjetur pikërisht një moment i tillë, kur dita e 25 prillit nuk është e largët dhe të gjitha këmbanat bien për humbjen e tretë rradhazi të opozitës? Kush qëndron pas tyre dhe a është ky sinjali i parë i një grushti shteti të ardhshëm planifikuar në zyrat presidenciale dhe në selinë ku prej vitesh rri shefi faktik i opozitës, Berisha?
Shumë nga kontrollorët e tanishëm janë njerëz të vendosur aty nga LSI e PD dhe prej viteve, kanë pasur paga relativisht të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të bashkëvendasve të tyre. Disa nga drejtuesit kryesorë të grevës së “paaftësisë”, që i zuri të gjithë njëherësh janë pjesë e strukturave zgjedhore të shtabeve elektorale të opozitës, të lidhur ngushtë me Ilir Metën apo Lulzim Bashën.
Në fakt, aty ka edhe njerëz të deleguar nga qeveria e tashme dhe ku ka qenë drejtuese edhe zonja Ministre, Balluku. Pra, një vend ku të gjithë kanë dërguar njerëzit e tyre dhe ku, qeveria e tashme kishte mbyllur sytë para gjendjes, të cilët i hapnin vetëm kur ishte fjala për tendera apo shpenzime luksi.
Deri para pak kohësh aty ka qenë drejtor Petrit Sulaj, i dërguar nga LSI, që edhe po ta dëgjosh, do të vësh duart në kokë. Një nga ata leshkot që i vishen nga pas politikës dhe i shërbejnë asaj deri në fund. Besnikërisht e qenërisht, edhe nëse cënohet siguria kombëtare.
Momenti i gjetur nga kontrollorët nuk ka të bëjë as me pagën dhe as me lodhjen e tyre stresore, pasi u janë ulur pagat e larta. Duhet të jesh naiv të besosh këtë, që pasi duruan 12 muaj, gjetën të “çelin” në muajin e trembëdhjetë. Një “gjel” tjetër i ka nisur drejt kësaj rruge, pasi i ka pajisur më parë me “këshillat” plot qetësi e dashuri, të bëjnë atë që nuk ndodhi as në vitin 1997.
Rikthimi i memorjes te ky vit është një jehonë që vetëm grush-shtetasit duan ta risjellin, si një gjëmë për një vend, i cili pret njerëzit e tij, kërkon të udhëtojë, e mbi të gjitha, të ketë mundësi të vaksinohet. Por, kur një ish-mjek, ish-president dhe kryeministër, me një taborr mjeranësh politikë e familjarë, zhvatës të paskrupull, bëjnë thirrje për rebelim dhe hedhje në Lanë, është e qartë se çfarë po i ofron opozita këtij vendi dhe kush synon të qeverisë.
“Paaftësia” greviste e kontrollorëve të ajrit, që na faniten si të djathtë dhe afrohen si gjynahqarë, që vetëm tani, në prag të zgjedhjeve politike, i ka zënë stresi, kërkon përgjigjen e duhur nga shteti, që edhe pse e vonuar, duhet të jetë e qartë dhe e saktë. Zonja Balluku, që e ka drejtuar vetë Albkontrollin deri ditën që u delegua ministre, e di fare mirë se kush është grumbulluar aty, e di se është edhe përgjegjësia e saj dhe e shefit të qeverisë, përse në një vend që ka lidhje me sigurinë kombëtare, ka më shumë militantë të verbër se sa specialistë.
Kur mijëra njerëz, në kohë pandemie, mendojnë mbijetesën, kontrollorët menduan të marrin në duar shtetin dhe ta futin atë në karantinë.
Më vjen keq që edhe zoti Kurti, pikërisht në këtë kohë synoi të vendosë traun në hyrjen e Shqipërisë, duke bërë kështu një izolim të vendit amë, ku ka synuar të bëjë bashkimin e kombit. Mirë që u tërhoq, sepse do të mbetej në shenjë si shefi i parë i qeverisë që ndërsa kalohet lirisht në rrugët e Serbisë, do të bllokonte lëvizjen e shqiptarëve.
Është shfaqja e parë e asaj që është paralajmëruar përditë nga presidenti dhe stafi i tij, nga Berisha dhe njerëzit e tij, nga Basha dhe ndjekësit e tij. Është pjesa e dytë e sprovës në Elbasan. Është treguesi se kandidati për deputet i Elbasanit, nuk është rastësisht në zënien me grushte. Destabilizimi i vendit në të gjitha përmasat, për të përmbysur, ende pa filluar votimet, rezultatin e tyre. Për të denigruar dhe prishur gjithçka është e mundur, shkallmuar dhe paralizuar, me synimin e ardhjes në pushtet përmes dhunës.
Shfaqja e tyre e tashme nuk është e para, por më e rëndësishmja dhe më mizore nga të gjitha drejtimet, që tregon se këto njerëz nuk do të ndalen para asnjë krimi. Dhe kjo që po ndodh, nuk është krim i zakonshëm dhe as çështje zarfi me pagën e tyre, e gjitha ka lidhje me provën që po bën opozita për të nisur riardhjen e vitit 1997, të cilën kaq shpesh e kanë paralajmëruar.
Nuk është rastësi që greva filloi dy ditë pas takimit të sindikalistëve të aeroportit me presidentin Meta, ashtu si nuk është rastësi që ata citojnë vetëm atë. Sipas tyre, i vetmi që i ka dëgjuar, është ai, Presidenti dhe tani duket qartë efekti i “mësimeve” të tij.
Grevistët kanë shpallur një thirrje për luftë, ku gjithçka duket e shkruar nga zëdhënës presidencialë apo nga opozitarë shtabistë. Si duket ata po i kthejnë qokat punëdhënësve dhe shefave të tyre politikë. Duke synuar bllokimin e vendit si shenjë e parë e asaj që mund të ndodhë deri më 25 prill e pas saj.
Aktualisht, në Shqipëri, ka sasi të mjaftueshme të vaksinave kundër Covid 19, por nëse ata do të vazhdojnë të grevojnë, deri në një muaj, si tha njëri ndër përfaqësuesit e tyre, duhet të mendohen mirë, pasi ata që do të vuajnë nuk do të jenë shefat e tyre politikë, që do të shpejtojnë të lajnë duart si Pons Pilati, por vetë ata. Në mos ligjërisht, në ndërgjegjen e tyre, po të ketë mbetur vend.
Një prill i ashpër është para njerëzve. Dikush do të kërkojë me çdo kusht të jetë një prill i përgjakur. E ka thirrur gjaku, si rrugë drejt pushtetit.
Është një krizë politike që kërkon të hapë rrugën e destabilizimit të ardhshëm.
A do të ndodhë?
Nuk mund të hedhësh mbi supet e njerëzve stresin e humbjes, të paktën këtë duhet të kenë mësuar baballarët e rebelimit të kontrollorëve ajrorë.