Kurti fushatë në Shqipëri, thirrje lezhjanëve: Në 25 prill votoni kandidatin e Vetëvendosjes Iliaz Shehu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vijon të promovojë të tijët, tashmë jo në fushatën elektorale në Kosovë, por në Shqipëri.
Pas Bojken Abazit i cili kandidon në Tiranë, Kurti iu bën sot thirrje lezhjanëve që më datë 25 prill të votojnë numrin 13 në listë, kandidatin e Vetëvendosjes, Iliaz Shehu.
Sipas Kurtit, të vjetrit që nuk kanë bërë dot gjë në 30 vite, nuk kanë çfarë të bëjnë më. Kreu i Qeverisë së Kosovës shprehet i bindur se i riu Shehu është alternativa e duhur për qytetin verior.
Shënimi i plotë i Kurtit
Me Iliaz Shehun jam takuar para disa viteve, kur ai jetonte e studionte filozofi në Paris. Sot, ai është ligjërues universitar në Shqipëri. Aktivist i Lëvizjes qysh prej 2010, ai kërkon mbështetjen tuaj si Kandidat i Pavarur për deputet në Qarkun e Lezhës, me numër 13.
Synim i VETËVENDOSJE!-s është që të rinjtë si Iliazi t’i kthejë në Atdhe, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë ndryshimin që njerëzit kaq shumë e duan dhe që popullit e shtetit i nevojitet.
Doktorant në Sorbonë, Iliazi është njeriu i duhur për të çuar përpara një projekt të mirëfilltë moderniues dhe evropianizues. Nuk munden më figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, të prodhojnë dot ndonjë gjë të re sot.
Lëvizja është në Lezhë për të qëndruar, dhe me punën e Iliaz Shehut, Marin Nikollës, Emanuela Kamshit e shumë të tjerëve që po kontribuojnë pa u lodhur, shpejt Lezha do të jetë qendër e fortë e Lëvizjes.
Qytetarë nga Lezha e Mirdita, nga Laçi e Shëngjini, mos harroni, në 25 prill, në fundin e fletës së votimit, Iliaz Shehun e gjeni si Kandidat të Pavarur me numrin 13. Ai është kandidat #KrejtTjetër.