“Po qesh pak o burrë”, Rama tregon mesazhet që i vijnë nga miqtë: Dy gjërat që mendoj kur zgjohem në mëngjes
Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Librazhd, ku u takua me mbështetës të PS në këtë qytet. Gjatë fjalës së mbajtur, Rama tregoi disa nga mesazhet që i vinin nga miqtë e tij në telefon, të cilët i sugjeronin që të qeshte.
Po ashtu kreu i qeverisë tha se gjëja e parë që mendonte sa zgjohej në mëngjes nga gjumi ishte sesa shtëpi do të ndërtoheshin dhe sa vaksina do të bëheshin.
“Është kënaqësi e veçantë. Kur pash sot kalanderin e lëvizjes dhe aty ishte shënuar aty një takim me të rinjtë në Librazhd, mendova se është momenti i duhur, për të mbajtur jo një fjalë tipike fushatë, por para jush një fjalë personale.
Ka disa ditë që miq të ndryshëm më shkruajnë: ‘Po qesh o burrë, mos dil kaq i ngrysur, punët janë mirë, ne do të fitojmë’. Sigurisht që do të fitojmë në 25 prill. Por më besoni, nuk është e lehtë të qeshësh.
Nuk është e lehtë të jesh i pangarkuar dhe të dukesh i freskët sikur ke fjetur gjumë 10 orë, sepse për mua u bë më shumë se një vit që ka qenë në kohë jashtëzakonisht e vështirë.
Qysh nga momenti që mora lajmin se ra një tërmet dhe minutë pas minute merrja lajmet e dëmeve të jashtëzakonshme, ndryshimi në jetën time aty lart në majë ishte shumë i madh. Sepse nga ai moment e deri më sot unë asnjëherë nuk arrij dot që të ndaj veten time, besojeni ose jo, nga ata të cilët presin të kthehen në shtëpi.
Nga nxënësit që presin të rikthehen në shkollën e tyre. Dhe nga ata më të moshuarit, gjyshet dhe gjyshërit tuaj që presin të çlirohen nga armiku i padukshëm. E gjithë kjo kohë për mua nuk ka qenë koha e një kryeministri në zyrë që bën plane e detyrat e tij, por ka qenë shumë më tepër se kaq.
Koha e rreshtimit me zemër e mish e shpirt, krah për krah të gjithë atyre që në asnjë mënyrë nuk duhet të ndihen vetëm. Kur sapo hap sytë gjëja e parë që mendoj është; sa shtëpi do të hapen sot për ta, sa vaksina do të bëhen sot”, u shpreh Rama.