Fatos Tarifa: Një mesazh dhe një sugjerim për qeverinë e re që do të formohet pas zgjedhjeve

Prof. Fatos Tarifa

Këtij subjekti i kthehem për të disatën herë gjatë këtyre dy-tri viteve të fundit. Për dy arsye kryesore.

E para ka të bëjë me zhurmën e madhe mediatike dhe “tmerrin” që prej kohësh përpiqen të përhapin në radhët e publikut shqiptar, por edhe te disa qeveri dhe agjenci të huaja, disa parti opozitare dhe, sidomos, një numër jo i vogël i atyre mbi 20,000 OJQ-ve që kanë mbirë si kërpudha në vendin tonë dhe që ne, në mënyrën më të gabuar, i identifikojmë me shoqërinë civile. Këto të fundit, në një masë të madhe, mbahen në këmbë me donacione të huaja dhe, për interesat e tyre fitimprurëse (edhe pse ligjërisht janë organizata jofitimprurëse), i kanë bërë dhe i bëjnë një shërbim shumë të keq imazhit të vendit e të popullit tonë në Perëndim.

Një pjesë e mediave dhe OJQ-ve na paraqesin ne, shqiptarëve, si një popull që nuk e do vendin e vet dhe është i gatshëm që ta braktisë atë në rastin më të parë, si burra që i rrahim gratë, si meshkuj që i vrasim të dashurat tona, si gra që vrasim vjehrrat, si një popull që prodhojmë veç refugjatë, hashash dhe prostituta për tregun europian dhe kriminelë të çdo lloji. Mjafton të prodhosh “statistika” që “provojnë” se dhuna në familje, prostitucioni dhe krimi janë problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare, që të “sensibilizosh” donatorë nordikë, hollandezë e të tjerë për të mbajtur gjallë OJQ-të e panumërta shqiptare, paçka se në këtë mënyrë të pandershme imazhit të vendit e të popullit tonë në Perëndim i bëhet një dëm kolosal.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me (sh)përdorimin e kartës së “patriotizmit” prej shumicës së partive politike opozitare në këtë fushatë (si dhe në fushata të mëparshme) zgjedhjesh parlamentare. Të gjitha partitë opozitare—njëra më shumë se tjetra dhe LSI më shumë se të gjitha—anatemojnë PS-në dhe qeverinë socialiste për “braktisjen” en masse të Shqipërisë nga të rinjtë, duke premtuar kush e kush “kurën” më të mirë kundër kësaj “hemoragjie” njerëzore.

Gënjejnë. Të gjitha partitë gënjejnë—përsëri njëra më shumë se tjetra dhe LSI më shumë se të gjitha. Ato parti, të mëdha e të vogla, që sot janë në opozitë, ose ata kryetarë partish opozitare të krijuara rishtaz, e kanë pasur mundësinë—madje jo vetëm një herë—për ta ndaluar këtë “hemoragji”, kur qytetarët shqiptarë ua besuan atyre qeverisjen e vendit. Pse duhet t’i besojmë se sot kanë qëllime më të sinqerta dhe një “kurë” më të mirë kundër largimit të të rinjve nga vendi, që t’ua japim përsëri votën tonë?

 

***

Dëgjoja këto ditë, në një emision televiziv në RTSH, tri vajza të reja, përfaqësuese të partive opozitare dhe kandidate në listat e atyre partive për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Çdonjëra prej tyre, më shumë se tjetra, përpiqej ta reklamonte rastin e kthimit të vet në Shqipëri (pasi kishin kryer studimet universitare, ose kishin qendruar për pak kohë jashtë vendit—në Kinë, në Singapor ose në Itali), si shembullin që duhet ndjekur nga çdo student shqiptar që është larguar për të studiuar jashtë vendit.

Duke i dëgjuar këto tri vajza tek mburreshin kush e kush më shumë se kthimi i tyre në atdhe dhe angazhimi i tyre në politikë me partitë opozitare kanë qenë motivuar prej kohësh nga ideali i tyre për t’i shërbyer Shqipërisë, duke larguar PS-në nga qeverisja e vendit, kuptohej qartë se si disa parti politike në opozitë po i shfrytëzojnë një numër të rinjsh si “make up” për fytyrat e zhubravitura të drejtuesve të tyre.

Sa shumë protagonizëm! Sa shumë vanitet! Çfarë megallomanie dhe sa shumë mashtrim. Njëra prej vajzave në atë emision, edhe pse me një formim akademik joadekuat (ka vetëm një Master), i thotë publikut se ka dhënë mësim edhe andej (në Angli dhe në Kinë) dhe tani, pasi ka “marrë çfarë i është nevojitur, akademikisht dhe profesionalisht”, ka zgjedhur të kthehet e të kontribuojë në vendin e vet”. Në cilën kohë i ka mbetur ora kësaj vajze, që e ndien veten “akademikisht të plotësuar” thjesht në nivelin Master?

Ka edhe të tjerë, të cilët, dështimet akademike, pamundësinë e punësimit, ose vështirësitë e jetesës “andej”—në Perëndim, në Singapor, ose në Kinë—përpiqen t’ia shesin publikut si “atdhetarizëm”, si “zgjedhjen” e tyre për t’u kthyer në Shqipëri dhe për t’i kontribuar vendit (duke u angazhuar në partitë politike, jo në fushat e ekspertizës së tyre). Të gjorët, “andej” nga kanë qenë kanë mbetur shumë pas dhe, atëherë kur ndihen të detyruar të kthehen, mendojnë se mund ta gënjejnë lehtë një publik, i cili është shumë më i sofistikuar sesa ata vetë.

***

Çfarë thashë më sipër nuk ka dhe aq rëndësi shoqërore, sepse ka të bëjë me integritetin moral e intelektual të njerëzve të tillë. Shqetësimi im ka të bëjë me një tjetër “të vërtetë”, atë që disa kohë më parë e paska “zbuluar” një sondazh i Gallup-it (me “sondazhierë shqiptarë), sipas të cilit, 4 në çdo 5 shqiptarë të moshave të reja (79 për qind e tyre), duan që ta lënë Shqipërinë përgjithmonë. Këtë “zbulim” e përmendin dhe e përmendin dhe e përmendin të gjitha partitë politike opozitare dhe, sigurisht, të gjitha ato OJQ shqiptare që “nxirrjen e realitetit” e kanë subjekt të projekteve të tyre “studimorë” dhe burim të ardhurash.

Shqipëria vazhdon të jetë një vend i varfër. Këtë e shohim dhe e ndiejmë për ditë. Por Shqipëria nuk po varfërohet më tej, siç pretendojnë opozita dhe disa gazetarë që vetë jetojnë në një luks që do e kishin zili shumë nga të ngjashmit e tyre në Perëndim. Përkundrazi, të gjithë treguesit dëshmojnë se Shqipëria është zhvilluar shumë në këta 10-15 vitet e fundit dhe vazhdon të zhvillohet me ritme jo të ulëta. Propaganda e partive opozitare mbi gjoja varfërinë ekstreme në masë është ndonjëherë kaq në mënyrë flagrante e ekzagjeruar, saqë edhe kur, me të drejtë, ato venë në dukje problemet reale që ka vendi, bëhen të pabesueshme për qytetarët.

Opozita harron, gjithashtu, se eksodi i shqiptarëve jashtë vendit nuk nisi në vitin 2013, kur në pushtet erdhën socialistët, por nisi në fillimet e viteve 1990 dhe njohu një valë të re në kohën e asaj marrëzie kolektive të frikshme në vitin 1997, kur vendin e drejtonte pikërisht partia më e madhe opozitare sot.

Unë besoj se, pavarësisht zgjedhjes që bëjnë një numër i madh njerëzish për t’u larguar nga vendi, zgjedhje që janë të detyruara ose të motivuara nga shumë faktorë dhe jo vetëm nga varfëria e jo gjithmonë për shkak të saj, këta nuk janë shumica e shqiptarëve, por një pakicë, masa e së cilës, fatkeqësisht nuk mund të dihet—dhe as të mësohet—nga asnjë “Gallup poll” dhe, aq më pak, nga OJQ-të dhe partitë tona.

Edhe pse është lënë në varfëri, duke pasur resurse të shumta dhe çdo mundësi për të qenë një vend i pasur, Shqipëria nuk është një vend që prodhon vetëm, ose kryesisht dhunë, refugjatë, drogë, prostituta e kriminelë dhe nga i cili duhet ikur një orë e më parë. Shqipëria sot nuk është ai vend që përshkruante Gianni Amelio në filmin e tij shumë të debatuar, Lamerica, në fillimin e viteve 1990, dhe aq më pak mund të krahasohet ajo me vende të tillë, si Sierra Leone, Liberia apo Haiti, që janë ndër vendet absolutisht më të varfër të planetit dhe prej një kohe të gjatë të rrënuar nga luftëra civile.

Cila mendje e shëndoshë mund ta besonte këtë çfarë thonë disa “analistë” shqiptarë, të cilët, verbërisht, pa vënë në punë arsyen, u besojnë “gjetjeve” të një sondazhi të “Gallup-it”, ose ata politikanë opozitarë, të cilët e rendisin Shqipërinë në çdo aspekt të fundit në Ballkan, të fundit në Europë, të fundit në botë?!

 

***

Është absurde të mendosh se 80 për qind e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi i tyre. Përvoja e gjatë si studiues dhe profesor i sociologjisë në disa universitetete—shqiptarë dhe amerikanë—si dhe arsyeja më thonë se frika, e “konfirmuar” nga një “Gallup poll” (e përsëris, një sondazh i realizuar me “gallupër” shqiptarë—dhe që aq shumë amplifikohet nga mediat, nga disa OJQ dhe parti opozitare—se 4 në çdo 5 shqiptarë në moshë të re duan të largohen përgjithmonë nga vendi i tyre është jo thjesht e pabazuar, por një gënjeshtër e madhe.

Në mënyrë logjike, nëse u përmbahemi rregullave të logjikës formale, fare thjesht mund të bënim një pyetje si kjo: Ç’kuptim ka të thuash se shqiptarët “duan” të largohen nga vendi i tyre? A do të thotë kjo se shqiptarët ëndërrojnë të lagohen? Apo dëshirojnë të lagohen? Apo, ndoshta, parashikojnë të lagohen? Mos vallë planifikojnë të lagohen? Përgatiten të lagohen? E shohin largimin si një mundësi?

Këto nuk janë e njëjta gjë. Nëse katër të pestat e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi i tyre, përse nuk janë larguar deri më sot, ose përse nuk largohen? Nuk i kanë mundësitë të largohen? Nuk janë të sigurtë nëse duan ose jo të largohen? Janë të pasigurtë për atë çfarë i pret në atë vend të huaj ku mund të dëshirojnë të vendosen si emigrantë të paligjshëm?

Shumë prej tyre, me siguri, kanë dëgjuar nga të tjerë emigrantë shqiptarë se jeta në Perëndim nuk është për të gjithë, madje as për një pjesë të mirë të popullsisë vendase, la dolce vita që ata mund të kenë ëndërruar? Më kujtohet fare mirë kryeministri italian në fillim të viteve 1990, Giulo Andreotti, i cili, i shokuar nga eksodi i refugjatëve shqiptarë në atë kohë, përmes stacionit televiziv RAI u bëri thirrje popullit dhe rinisë shqiptare që të mos e shihnin Italinë si një vend të bollëkut për këdo. Jean Claude Juncker, deri pak kohë më parë President i Komisionit European, gjithashtu, në vitin 2005, kur ishte kryeministër i Luksemburgut, është detyruar të pohojë se “Europe no longer makes people dream”.

 

***

Unë jap mësim në një prej universiteteve të këtij vendi dhe jam çdo ditë në kontakt me dhjetra studentë. Një pjesë e vogël e tyre, pas përfundimit të studimeve në programet Bachelor, dëshirojnë të vijojnë studimet në universitete më të mirë në Perëndim. Kjo është veçse e natyrshme, madje edhe një trend që vihet re thuajse në të gjithë vendet e Europës Lindore dhe në shumë vende të tjerë. Por unë nuk kam dëgjuar ndonjë prej studentëve të mi të thotë se synon që të largohet “një herë e përgjithmonë” nga Shqipëria. Pjesa më e madhe e tyre synojnë të gjejnë një punë të mirë (ose një punë të paguar mirë) në Tiranë. Pjesa më e madhe e studentëve shqiptarë, gjithashtu, mendoj se synojnë të njëjtën gjë.

Pse atëherë u dashka të gënjejmë, siç bëjnë disa pedagogë, eksponentë të partive opozitare, ose të lidhur me këto parti, se “auditorët e universiteteve po boshatisen” dhe se, për këtë shkak, “shumë programe po mbyllen”? Nëse shumë programe janë mbyllur, po mbyllen (ose mund të mbyllen në të ardhmen), arsyeja nuk ka të bëjë domosdoshmërisht—as kryesisht—me largimin masiv të studentëve jashtë vendit por, në shumë raste, me faktin se çelja e programeve të tillë mund të mos ketë qenë e domosdoshme, mund të jetë bërë pa u menduar mirë, pa marë në konsideratë nevojat aktuale të tregut të punës, nevojat perspektive të zhvillimit të vendit dhe, ipso facto, pa marë parasysh interesat e vetë studentëve, të cilët preferojnë të studiojnë në programe e në degë të tjera. Dhe, nëse këta programe nuk ofrohen në universitetet shqiptarë, është e natyrshme që shumë studentë të kërkojnë të studiojnë në ata vende dhe në ata universitete, të cilët ofrojnë ato programe që ata preferojnë. Kjo ndodh jo vetëm me studentët shqiptarë. Kjo ndodh me studentë nga e gjithë bota.

Ne harrojmë të vemë në dukje një dukuri shumë pozitive, e cila ende nuk mund të thuhet se përbën një trend. Në këta 10-15 vitet e fundit ka pasur dhe ka shumë individë, të cilët, njëlloj si autori i këtyre radhëve, pasi kanë kryer studimet dhe janë doktoruar në Shtetet e Bashkuara, ose në vende të tjerë perëndimorë të zhvilluar, kanë vendosur të kthehen në Shqipëri. Shumë prej tyre janë mjaft më të rinj se sa unë në moshë, çka do e kish bërë edhe më të lehtë për ta mundësinë për të qëndruar e punuar në ata vende ku ata kanë studiuar dhe janë doktoruar.

Unë kam pasur dhe kam kënaqësinë të punoj me disa prej tyre, të cilët i kam pasur ose i kam kolegë në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë dhe në Universitetin Europian të Tiranës. Edhe pse këta, me shpenzimet e familjeve të tyre (jo të shtetit shqiptar), kanë fituar gradën PhD në universitete amerikanë, ose në vende perëndimorë, si Britania e Madhe, Franca, Austria, Japonia apo Italia dhe një pjesë e tyre kanë moshën e fëmijëve të mi, ata, gjithashtu, kanë zgjedhur të kthehen në atdhe, në shkëmbim të asnjë bonusi, që çdo qeveri shqiptare do të duhej t’ua kishte ofruar bujarisht. Dhe që dhjetra djem e vajza me një PhD nga universitete perëndimorë dhe qindra të tjerë që kanë kryer studimet në nivelin Mastër në universitete të tillë janë kthyer në Shqipëri, kthehen e do të vazhdojnë të kthehen, ky është një argument më i shëndoshë dhe më bindës kundër qarjeve e sharjeve të OJQ-istëve, brahmanëve metafizikë të medias dhe partive opozitare.

***

Njerëz që largohen—dhe ikin për të mos u kthyer më—si në çdo vend, edhe në Shqipëri, ka pasur e do të ketë në çdo kohë. Në periudha të ndryshme gjatë shekullit të 20-të miliona njerëz kanë lënë vendet e tyre, vende më të zhvilluar sesa vendi ynë—Suedinë, Italinë, Greqinë. Madje, edhe mijërat e refugjatëve shqiptarë që mësynë ambasadat e huaja në Tiranë, në korrikun e vitit 1990, ose që pushtuan anijet për t’u larguar në Itali në pranverën dhe në verën e vitit 1991, nuk ishin një fenomen unik shqiptar, që bota e shihte për herë të parë.

Mijëra azilkërkues dhe emigrantë ekonomikë ishin larguar nga Republika Demokratike Gjermane, nga Polonia, nga Hungaria, nga Çekosllovakia dhe nga Rusia përpara se “shqiptarët e anijeve” të tërhiqnin vëmendjen e mediave botërore. Valë të tëra emigrantësh u larguan nga Italia, nga Greqia, nga Skandinavia dhe nga Europa Perëndimore e Jugore në fillim të shekullit të 20-të, si dhe në periudhën mes dy luftërave botërore. Me kohë, sidoqoftë, migrimi ekonomik dhe migrimi i trurit nga këta vende ranë dhe ata u bënë vende të zhvilluar të një Europe të zhvilluar.

Unë kam bindjen se pjesa më e madhe e shqiptarëve, përfshirë dhe ata në moshë të re, duan pikërisht këtë dhe dëshirojnë të jetojnë e të punojnë në Shqipëri, për të ardhmen e vendit të tyre, e jo ta braktisin atë për një jetë të vështirë e plot të panjohura në Perëndim.

 

***

Këto shënime i botoj jo rastësisht në një kohë kur nga zgjedhjet parlamentare të këtij viti na ndajnë më pak se dy javë. Ky rast më jep mundësinë të përcjell një mesazh dhe t’i ofroj qeverisë së re që do të formohet pas këtyre zgjedhjeve një sugjerim.

Gjithnjë më kanë pëlqyer dhe i kujtoj fjalët me të cilat miku im, Peter Lucas, gazetar në Boston, i përmblodhi përshtypjet e veta nga vizita e tij e parë në Shqipëri, në vitin 1986: “Shqipëria ka gjithçka që i duhet për t’u bërë një vend i vogël i madh, ose një vend i madh i vogël” (Albania has all it needs to become a great little country, or a little great country”.

Lukas kishte parasysh Zvicrën. Por a nuk ishte po Zvicra ai vend, të cilin Sami Frashëri, 122 vite më parë, në librin e tij Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1889), e shihte si modelin e një Shqipërie të pavarur europiane?

Një Shqipëri europiane, si Zvicra! Ideali i rilindasit të madh të kombit tonë 122 vite më parë! A kemi mbetur vallë 122 vite pas? Ndoshta. Por Shqipëria nuk është e dënuar fatalisht të mbetet ky vend që është. Ajo ka gjithçka që i duhet për t’u bërë ai vend që ëndërronte Sami Frashëri, i pasur dhe i denjë për të qenë pjesë e familjes së vendeve europiane.

Në një shoqëri si e jona, e cila, kryesisht për shkak të rënies së ndjeshme të lindshmërisë, por edhe si rrjedhojë e migrimit të moshave të reja, po plaket përherë e më shumë, do të ishte një politikë prudente nëse nënave që lindin fëmijë (dhe familjeve të tyre) u jepet një bonus i arsyeshëm, në mënyrë që popullsia e vendit të fillojë sërish të rritet, si deri tridhjetë vite më parë.

Po kështu, ka ardhur koha që çdo qeveri shqiptare të mendojë e të planifikojë seriozisht për të shpërblyer të gjithë ata individë, djem e vajza të këtij vendi, të cilët, pasi fitojnë gradën PhD në Shtetet e Bashkuara ose në universitete të tjerë perëndimorë shumë të mirë, vendosin të kthehen në atdheun e tyre, në mënyrë që të rritet edhe popullsia më e arsimuar e vendit, në radhët e së cilës gjenden shkencëtarët e sotëm e të nesërm shqiptarë. E njëjta politikë mund të ndiqet edhe me atë pjesë të diasporës shqiptare, e cila dëshiron të punojë në Shqipëri, arsimimi i lartë, aftësitë profesionale dhe talentet e spikatura të të cilëve janë të dobishëm për zhvillimin ekonomik, shkencor, teknologjik e kulturor të vendit.

Kjo do të ishte një politikë e mençur, të cilën Kina ka gati dy dhjetëvjeçarë që e aplikon me sukses, duke tërhequr dhjetra mijëra të rinj kinezë, të doktoruar në universitetet amerikanë, për të punuar në industritë dhe në administratën e saj. Është një fakt i pranuar gjerësisht se, suksesi ekonomik i mjaft vendeve aziatikë, veçanërisht i Kinës, në këta dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit, i detyrohet shumë forcës së shembullit amerikan, depërtimit të kapitalit amerikan (dhe kapitaleve nga vende të tjerë të zhvilluar, si edhe arsimimit që legjione të tëra kinezësh kanë marrë në universitetet më të mirë amerikanë.

Qeveria shqiptare mund të mësojë prej përvojave të tilla. Autori i këtyre radhëve ka qenë një ndër anëtarët e Komisionit qeveritar për dhënien e bursave të ekselencës. Në atë cilësi, kam ardhur në përfundimin se, ato pak bursa të ekselencës, që qeveria shqiptare u jep të rinjve tanë për të studiuar në disa prej universiteteve elitarë të Perëndimit, nuk duhen dhënë për të kryer studime në nivelet Bachelor, ose Master, por vetëm për studime doktorale, madje në ato fusha të shkencës e të dijes, që janë prioritare për zhvillimin ekonomik, teknologjik e shoqëror të vendit tonë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT