“Ku do më çoni tani, jam pa shtëpi e katandi”, prokurori i shkarkuar nuk përmbahet e ndjek nga pas anëtarët e KPK-së

Prokurori i Beratit, Tasim Puçi reagoi me tone emocionale ndaj vendimit të shkarkimit nga detyra, që u shpall të enjten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Puci nuk arriti t’i përmbajë emocionet pas shpalljes së vendimit të shkarkimit të tij nga detyra. Ai i ndoqi anëtarët e trupës gjykuese teksa dilnin nga salla, duke i pyetur dy herë radhazi “Ku do më çoni tani”?

Reagimi i Pucit shkaktoi për një moment tension në sallë, por situata u qetësua me ndërhyrjen e forcave të sigurisë.

“Jam pa shtëpi e katandi,” tha prokurori i saposhkarkuar përpara se të largohej nga salla.

Procesi i vetingut për prokurorin e Prokurorisë së Beratit, Tasim Puci u krye nga trupa e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Sipas relatimit, ai u gjet me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.

Gjatë seancës dëgjimore, prokurori Puçi u pyet në lidhje me një kontratë noteriale në të cilën ai rezultonte pronar i një apartamenti, të cilin ia kalonte vjehrrit dhe disa shkëmbime financiare me këtë të fundit.

Puçi pretendoi se nuk kishte asnjë pasuri dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT