Patronazhistët e PS/ Shkullaku dhe Bushati refuzojnë të dorëzojnë serverin, GJKKO vendos sekuestro të databazës së 910 mijë votuesve

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në lëvizje pas publikimit të të dhënave personale të 910 mijë personave në Tiranë.
Sipas News 24, GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka vendosur të detyrojë drejtuesit e portalit “Lapsi.al”, që publikoi i pari të dhënat, të dorëzojnë databasën me të dhënat personale të 910 mijë personave.
Drejtuesit e portalit, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati, kanë refuzuar t’i dorëzojnë materialin GJKKO për të ruajtur burimin. Për këtë arsye, GJKKO ka vendosur sekuestro të databazës dhe pritet të shkojë te zyrat e “Lapsi.al” për materialin.
Disa ditë më parë Bushati dhe Shkullaku si dy pronarët e portalit mediatik që zbuloi të dhënat e bujshme dhe shkaktoi përplasje të forta politike u thirrën në prokurori për të dëshmuar mbi mënyrën se si e kishin siguruar këtë server.