Dy javë në karantinë shtetasve që vijnë nga Maqedonia e Greqia/ LSI hedh në gjyq Komitetin Teknik

Lëvizja Socialiste për Integrim ka ankimuar vendimin e Komitetit Teknik për të vendosur në karantinë për dy javë shtetasit shqiptarë vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Ky vendim i Komitetit lidhej me faktin se janë shtuar rastet e infektimeve të Covid në qytetet shqiptare kufitare me këto dy shtete.
Por ky vendim quhet i papranueshëm nga ana e LSI-së. Në këtë kërkesë drejtuar Gjykatën Administrative në Tiranë, të firmosur nga ana e kryetares Monika Kryemadhi, theksohet se “Komiteti Teknik i Ekspertëve, me vendimin e datës 19.04.2021 ka vendosur “Vendosjen në karantinë dy javore të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia”. Ky njoftim është publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë”.
“Duke mos qenë dakord me këtë vendim të marrë haptazi në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor, kërkojmë pranë jush, marrjen e masës së sigurimit të padisë ndaj vendimit të datës 19.04.2021 të Komitetit Teknik të Ekspertëve me objekt: “Vendosjen në karantinë dy javore të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia”. Sa më sipër, i drejtohemi Gjykatës brenda afateve ligjore, dhe përfundimisht kërkojmë: Marrjen e Masës së Sigurimit të Padisë duke pezulluar zbatimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 19.04.2021, me objekt: “Vendosjen në karantinë dy javore të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia”, deri në fund të gjykimit dhe derisa vendimi gjyqësor të marrë formë të prerë”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e LSI-së.