“Babi mos pi”, Rama: Ta ndihmojmë Metën të kthehet në shtëpi, doktoreshë Monika është hataja e madhe

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi lidhur me deklaratën e Presidentit Ilir Meta, i cili dje akuzoi se patronazhistët e PS-së, i ngacmojnë vajzën e vogël duke i thënë “Thuaj babit të mos pijë shumë”.
Nga Elbasani, kryetari i PS u shpreh Ilir Meta duhet ndihmuar që të kthehet në shtëpi, ndërsa e cilësoi edhe fosile.
“Ilir Meta, një president, të cilit e bija i thotë “Babi mos pi hajde në shtëpi”. Dhe ne duhet ta ndihmojmë Ilir Metën të kthehet në shtëpi. Ne nuk duhet të humbasim trendin e historisë për t’u kthyer mbrapa se mund të votohet për fosilet e historisë, që dalin në rrugët e historisë dhe përsërisin skenat e karvanëve me makina si në ’90, por makinat janë shumë të shtrenjta, por ne kemi patronazhistë, që e dinë kush janë në ato makina”, tha Rama.
Rama sulmoi edhe Lulzim Bashën, ndërsa tha se vota për Kryemadhin do çonte nga varri të gjithë Rilindasit e Elbasanit
“Çfarë arsye ka për të votuar PD-në? Më thoni një? Hajde ma tregoni një tullë, që vuri për Elbasanin. Pa llogaritur pastaj atë partinë tjetër, të profesor doktoreshë, Monika Kryemadhit, se ajo është hataja më e madhe. Në qytetin e Kostandin Kristoforidhit, të votosh Monika Kryemadhin do të thotë të ngresh nga varri të gjithë Rilindasit e Elbasanit, të ofendosh historinë e këtij qyteti”, tha Rama.