Serbët: Miqtë tanë nga Shqipëria na mbështetin, po restaurojnë trashëgiminë tone

E përditshmja Blic në Serbi i ka kushtuar një shkrim qilarëve të verës në Rajac dhe Rogljevo, të cilët po restaurohen nga një organizatë jo-qeveritare shqiptare.

Gazeta serbe shkruan se, në vend që restaurimi të bëhej nga shteti serb, këto monumente të rëndësisë më të lartë kombëtare dhe kandidatë të mundshëm për në Listën e Trashëgimisë Botërore, janë duke u restauruar nga shqiptarët.

Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) me qendër në Tiranë ka vlerësuar rëndësinë e kësaj trashëgimie, gjë që nuk mund të thuhet për Ministrinë e Kulturës në Serbi.

Blic shkruan më tej se del qartë se këto dy qytete unike të prodhimit të verës në rajonin e Negotinit, të cilat janë kandidate për në listën e UNESCO-s që në vitin 2010, janë duke u mbrojtur nga shteti i Serbisë vetëm teorikisht.

Komplekse të mëdha të qilarëve të verës, të ndërtuara në shekullin e 19, po degradojnë çdo ditë, për shkak të pamundësisë nga ana a pronarëve të financojnë riparimet e kushtueshme dhe procedurat e komplikuara.

Kështu, shteti i Serbisë, duke i shpallur këto monumente nën mbrojtje të gradës më të lartë, ka vendosur gjithashtu kushte të veçanta për restaurimin e tyre, të cilat duhet të ndiqen nga pronarët, dhe lejet duhet të përftohen përmes Institutit të Republikës për Mbrojtjen e Monumenteve në Beograd.

Gazeta shkruan më tej:

Përderisa kjo është një procedurë e gjatë dhe e kushtueshme, pronarët nuk e kanë mundësinë ta ndjekin, kështu që kjo trashëgimi unike po shkatërrohet megjithëse nën mbrojtjen e shtetit. Politikanët janë në dijeni të problemeve. Në asnjë fushatë politike nuk kanë munguar politikanët që vizitojnë dhe premtojnë para për monumentet dhe për rrugët, të cilat gjithashtu janë në një gjendje të keqe dhe që mund të konsiderohen historike, duke pasur parasysh kohën kur janë ndërtuar. Por kur zgjedhjet përfundojnë, çdo gjë harrohet. Ndryshe nga politikanët, disa përfaqësues të një organizate shqiptare, Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) kanë vlerësuar, që në vizitën e tyre të parë, rëndësinë dhe vlerat e komlekseve të qilarëve të verës në Rajac dhe Rogljevo. Banorët e të dy fshatrave e kanë vlerësuar këtë dhe e konsiderojnë CHwB-në si shpëtimtarin e tyre. Miqtë tanë nga Shqipëria na mbështetin që të ruajmë këtë struktura historike unike.”
Zarko Cvetkovic nga Rajac thotë për gazetën:

Qilari im i verës është më shumë se 150 vjeçar, dhe i pikon çatia, dhe unë nuk kam para ta riparoj. Më duhen 3000 euro për investimin, dhe përveç projektit të restaurimit, unë jam i detyruar të përdor tjegulla romake për çatinë, të cilat kushtojnë 3 herë më shumë se ato të thjeshtat. Shteti Serb nuk po bën asgjë për të riparuar, prandaj shumë nga qilarët e verës po rrënohen, dhe të gjithë politikanët ishin këtu dhe premtuan para dhe mbështetje. Kur ata (politikanët) marrin funksionet e tyre të reja dhe dikush ju kërkon ndihmë, ata thonë që është pronësi private dhe nuk mund të financohet me buxhetin e shtetit. Unë druhem që në disa vjet ne do ta humbim qilarin tonë të verës, si nga lista e mbrojtjes dhe nga lista e UNESCO-s…”
Ekspertët janë në një mendje me Zarko-n./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT