Meta do zgjohet herët për të votuar dhe paralajmëron ‘një mesazh të rëndësishëm’. Ja kur do votojnë Rama dhe Basha

Presidenti Ilir Meta do të jetë ndër të parët që do të votojë nesër. Zëdhënësi i kreut të shtetit njofton se në orën 7:00, Meta do të votojë në Qendrën e Votimit, në Kopshtin nr.31, Rruga “Pjetër Bogdani”, Tiranë.
Aty, kreu i shtetit pritet të japë edhe një mesazh të rëndësishëm.
“Nesër, në ora 07:00, Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të votojë në Qendrën e Votimit, në Kopshtin nr.31, Rruga “Pjetër Bogdani”, Tiranë, nga ku do të japë edhe një mesazh tepër të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës.
Presidenti Meta u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të marshojnë të qetë dhe me vendosmëri drejt kutive të votimit për të vulosur ndryshimin e rëndësishëm, të shumëpritur dhe historik për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Nesër do të jetë një Festë e Demokracisë.”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, Basha dhe Rama duket se do “zgjohen” më vonë. Mësohet se kryetari i PD, Lulzim Basha do të votojë në orën 09.00 në qëndrën e votimit 1929 pranë çerdhes nr.13, Rr. Demir Gashi, Njësia 8.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama do të hedhë votën e tij në zonën e Surrelit rreth orë 10 e 30, ku është rezident prej disa vitesh.
3.588.860 qytetarë janë në listë për të votuar në 25 Prill, por 23.625 nuk do të mund të ushtrojnë këtë të drejtë pasi janë në kushtet e karantinës si pasojë e infektimit me koronavirus./Gazeta SHQIP