Shqipëria zgjodhi/ Nga identifikimi biometrik, ‘zbutja’ e presidentit dhe ‘turi’ i ambasadorëve

Java e fundit e fushatës elektorale në Shqipëri ishte e tensionuar, me deklarata të forta politike, por edhe me incidente që fatkeqësisht u pasuan edhe me një të vdekur e katër të plagosur në Elbasan. Por krejt ndryshe rezultoi dita e votimit.
Tashmë, zyrtarisht votimi është mbyllur në të gjitha vendin dhe shqiptarët kanë vendosur. Dita e zgjedhjeve ka rezultuar e qetë, me një pjesëmarrje relativisht të lartë të qytetarëve dhe pa incidente që njollosin procesin.
Ambasadorët: Njihni rezultatin
Ambasadorët, sidomos të SHBA-BE-së ishin në disa qytete me vëmendje të veçantë Elbasanin, Shkodrën dhe Durrësin duke monitoruar procesin.
Ata kërkuan njohjen e rezultatit nga partitë politike.
“Pas votimit ju lutem prisni me durim se cili do të jetë rezultati. Dhe për udhëheqësit politikë, prisni me durim dhe respektoni rezultatin.”
Presidenti Ilir Meta ishte gjatë gjithë kohës në lëvizje nga njëri qytet në tjetrin, ndërsa Lulzim Basha ishte në Elbasan dhe Durrës, teksa në qytetin bregdetar u zhvendos pasdite edhe Edi Rama.
“Zbutja” e presidentit
Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri, duke lënë pas retorikën e ashpër të ditëve të fundit.
Kreu i shtetit, nga Fieri, i cilësoi zgjedhjet si të mrekullueshme. “Zgjedhjet janë të mrekullueshme, kudo janë të mrekullueshme, në Shijak të mrekullueshme, kudo është fantastike.”
Presidenti Ilir Meta nga Fieri ka komentuar dhe marrëdhënien me ambasadoren Yuri Kim.
“Marrëdhënia me ambasadoren ka qenë gjithmonë e shkëlqyer, e shkëlqyer. Primare është mbarëvajtja e këtij procesi, pasi është vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në. Marrëdhëniet e mia me SHBA-të do të mbeten të shkëlqyera,” është shprehur Meta.
5199 qendra votimi hapen dyert sot për 3 milionë e 588 mijë e 869 shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 140 deputetët e rinj dhe rrjedhimisht edhe qeverinë e re.
Referuar të dhënave zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, nga 3.588.860 qytetarë që ishin në listë, deri në 18:00, kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës rreth 45% e tyre. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 51.42 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.
Partia Socialiste kërkon të thyejë traditën dhe të marrë një mandat të tretë, ndërsa opozita, e kryesuar nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme.
Teknologjia në zgjedhje dhe problematikat
Për herë të parë në këto zgjedhje u aplikua teknologjia, përmes identifikimit biometrik. Ndërkohë që, përmes një projekti pilot, në KZAZ Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, u realizuar edhe votim e numërim elektronik.
Sipas raportimeve zyrtare nga KQZ problematika e vetme e hasur deri më tani ka të bëjë me pajisjet e leximit të kartave të identitetit. Në disa qendra votimi në disa qarqe të vendit procesi diku u blloku dhe vijoi manualisht. Ndërkohë që nga 5199 qendra, votimi u ndërpre vetëm në atë të Lekbibajt në Tropojë, por më pas rifilloi.
Sipas KQZ përdorimi i pajisjes së identifikimit deri nuk ka funksionuar në rreth 100 qendra votimi.
Partitë e reja
Për herë të parë futen në garë në një palë zgjedhje të përgjithshme, disa forca të reja politike si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit apo edhe 3 kandidatët e pavarur që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje.
Incidentet
Procesi zgjedhor në të gjithë vendin nuk ka regjistruar incidente të rënda. Ngjarja më problematike u regjistrua në fshatin Veshmi të Bashkisë Maliq, ku u dhunua një çift bashkëshortësh. Incidenti nisi pasi çifti tentoi të bënte votim familjar, por nuk është lejuar nga një vëzhgues i Partisë Demokratike. Pas debateve verbale, konflikti ka degjeneruar në dhunë fizike. Siç raportohet vëzhguesi i PD ka qëlluar çiftin e bashkëshortëve me karrige dhe të dy kanë mbetur të plagosur.
Një incident tjetër është raportuar edhe në Tropojë.
Policia arrestoi shtetasin Gjovalin Gjeloshaj, komisioner i PD-së në Lekbibaj, pasi së bashku me vëllezërit e tij Shkelzen dhe Marash Gjeloshaj, kanë dhunuar dhë kërcënuar me armë kryetarin e PS-së Andrea Ndou.
Ndërkohë u raportua edhe për një qytetar që kishte thyer xhamat e një qendre votimi në shkollën ‘Hamit Mullisi’ në lagjen ‘5 Maj’ në Elbasan.