Nisin pakënaqësitë ndaj Bashës, Ristani: Nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur….

Rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit deri më tani flasin për një fitore të PS-së. Ky rezultat ka sjellë edhe reagimet e para të kundërshtarëve të kryedemokratit Lulzim Basha, një pjesë e tyre që u la jashtë listave të kandidatëve për deputetë.
Një ndër to është edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i cili fillimisht u postua nga Basha në Tiranë, por më pas nuk u përfshi në listat e kandidatëve për deputetë.
“Nuk kish si ndodhte ndryshe dhe nuk ndodhi nga budallallëku, por nga ligësia”, shkruan Ristani në një status në Facebook.
Gjithashtu edhe ish-deputeti i PD-së, Fatos Hoxha në një status në rrjetet sociale shkruan “Teksa kërkoja ngushëllim dhe shpresë për rezultatin e djeshëm, mu shfaq përpara ky status i bërë përpara fiks katër vjetmeve. As më ngushëlloi, as me dha shpresë….”
Më poshtë statusi i Fatos Hoxhës
PARTIA DEMOKRATIKE DREJT RRUGES PA KTHIM
Dy javë më parë, teksa ndiqja me dhimbje e shqetësim zhvillimet brenda dhe rretheqark çadrës, paralajmërova se Kryetari Basha, me sjelljen e tij enigmatike dhe pa llogjikë, po e çonte PD drejt rrugës pa kthim, drejt vetpërjashtimit nga zgjedhjet, daljes nga sistemi demokratik dhe vetasgjësimit. Si demokrat i përjashtuar nga angazhimi aktiv ngulmova që demokratët ende të papërajshtuar të ngrinin zërin në forume e të kërkonin llogari, t’I bënin thirrje përgjegjshmërisë dhe arsyes, të riktheheshin në sistem e të mbronin vlerat që na bashkojnë.
Për fat të keq, thirrja ime e dëshpëruar u shoqërua nga heshtja e thellë dhe e fajshme e udhëheqësisë. Udhëheqësit e PD lanë që vetpërjashtimi i PD nga zgjedhjet të ndodhte, teksa Kryetari i Partisë refuzoi dhe mbylli çdo rrugë dhe hapësirë për kompromis.
Sot PD ka hyrë në rrugën pa kthim. Në harkun e 45 ditëve PD do ta shohë veten jashtë sistemit, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, nuk do të jetë e përfaqësuar në parlament, nuk do të jetë as mazhorancë, as opozitë, nuk do të ketë më zë në kapitullin e politikës. Për shkak të vetpërjashtimit, PD rrezikon të ngelet pa seli e pa financim publik, pa përfaqësim në institucionet e pavarura e në KQZ, pa komisionerë zgjedhorë e pa numërues, pa hapësirë mediatike e pa garanci ligjore. Thjesht do të jetë jashtë gjërave, jashtë proceseve.
Kryetari Basha premtoi shtyrjen e zgjedhjeve, premtoi rrëzimin e qeverisë Rama, premtoi qeverinë teknike, premtoi reformë rrënjësore zgjedhore, me garanci supreme për votën e lirë, premtoi mbeshtetje të fuqishme euroatlantike dhe na zhgënjeu. Kryetari Basha ishte aq i sigurtë në rrugën e tij, saqë “dogji” me vetëdije çdo afat dhe procedurë për regjistrimin në zgjedhje. Kryetari i PD nuk la në këmbë asnjë alterativë, asnjë opsion rezervë. Ndaj sot PD është në buzë të greminës, në pragun e rrugës pa kthim.
Nëse udhëheqësia e PD nuk shqetësohet nga ky makth, atëherë shpresa e vetme ngelen demokratët e vërtetë. Ndaj duhet t’i bejne thirrje nevojës. Të gjejnë rrugët për të shpëtuar PD dhe shpirtin e saj opozitar, të mbajnë fushën e betejës, t’i japin zë dhe forcë opozitës, me çdo mjet dhe mënyrë që lejon ligji dhe nevoja për të shpëtuar demokracinë.