Reagimi i dytë/ Meta i trembet shkarkimit, paralajmëron shpërndarjen e Parlamentit

Ilir Meta duket si i trembet “kërcënimit” të mazhorancës socialiste për shkarkmin nga posti i presidentit dhe brenda 10 minutash ka mbajtur dy mesazhe të njëpasnjëshme. Në mesazhin e dytë, Meta ka kërcënuar mazhorancën për shpërndarjen e Parlamentit aktual, duke synuar kështu që ta shtyjë “fundin” e tij në krye të shtetit deri në shtator.
“Kërcënimi i fundit, që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ka vetëm një përgjigje: Presidenti, gati për të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës!
Shqipëria e Shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve!”, shkruan Meta.
Ai e shoqëron këtë qëndrim me anë të një fotoje nga mitingu i 2 marsit, duke lëshuar kështu një mesazh se mund të organizojë dhe protesta.
Mazhoranca nëpërmjet sekretarit të përgjitshëm të PS-së, Taulant Balla njoftoi për nismën për të shkarkuar presidentin Meta.
“Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!”, deklaroi Balla.