Macron dhe kryeministri spanjoll urojnë Ramën për mandatin e tretë, reagon edhe Britania e Madhe

Ndërkombëtarët, kanë uruar në seri kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit, duke vulosur kështu edhe njohjen e rezultatit që nxjerr fituese PS-në me 74 mandate.
Pasi Departamenti Amerikan i Shtetit dhe kryesuesja e OSBE vlerësuan zgjedhjet, Rama ka marrë mesazh urimi edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Për fitoren, Rama ka marrë mesazh urimi edhe nga kryeministri spanjol Pedro Sanchez.
Mesazh urimi edhe nga Britania e Madhe
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe ka uruar kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare.
“Urime Kryeministit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, si dhe qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht kufizimeve të COVID19.
Theksojmë gjithashtu fushatën e bazuar në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat.
Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur dhe ka ndjekur nga afër përgatitjen dhe organizmin e zgjedhjeve të 25 prillit. Pamë me kënaqësi zbatimin e legjislacionit zgjedhor dhe pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në votim.
Inkurajojmë gjithashtu institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin zgjedhor.“, shkruan Duncan Norman në Twitter.
Rama po ashtu zhvilloi dje, një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyp Erdogan dhe Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, të cilët e uruan për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit./Gazeta SHQIP