Varhelyi ia “hedh topin” opozitës për integrimin në BE, Rama përsërit ftesën për Bashën

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ia hodhi “topin” opozitës lidhur me procesin e integrimit në BE.

Oliver Varhelyi ka dhënë një mesazh të qartë se Shqipëria pa një parlament të ri të plotë nuk ka për të ecur drejt BE.

Kjo do të thotë se nëse opozita refuzon të futet në parlament, do të ketë pasoja për intergrimin e Shqipërisë në BE.

Varhelyi tha se duhet të hetohen edhe pretendimet për blerje votash dhe manipulime.

“Ne kemi një ambasador të mirë në Shqipëri. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, kam ndjekur nga afër gjithçka. Mendoj se pas një fushatë të zjarrtë, gjëja që na nevojitet tani janë rezultatet e qarta. Të hetohen parregullsitë dhe blerjet e mundshme të votave. Pas rezultateve përfundimtare, duhet që Kuvendi të fillojë punën shumë shpejt. Pa një parlament të plotë nuk është e mundur të ecet drejt BE.

Në rast se do të ndodhë Konferenca Ndërqeveritare puna do të duhet të përshpejtohet, jo vetëm nga qeveria por edhe Kuvendi i Shqipërisë. Po presim rezultatin e procesit të Apelimit”, tha Varhelyi.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i ka shtrirë sërish dorën për bashkëpunim pa kushte drejtuar PD-së.

“Bindja dhe vullneti im është që mandati i tretë të mos i ngjajë dy të parëve në luftën e brendshme politike, PS do e braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër, bajate, banale, krejt të panevojshme për vendin, ne do të fokusohemi te punët e mëdha për të cilat jemi votuar dhe do e mbajmë dorën e shtrirë pa asnjë ndërprerje për PD. PD është e mirëpritur kurdoqoftë dhe sidoqoftë të kthehet me këmbë në tokë, për të hapur një proces diskutimi krejtësisht pa asnjë kusht për mënyrën se si mund të kontribuojmë bashkarisht për të shtyrë përpara punët dhe integrimin në BE. Qëndroj larg nga polemikat e lodhshme mes partive për partitë dhe me partitë, Shqipëria është në një moment me kaq shumë potencial për të kaluar në një nivel tjetër, mandatin e kemi marrë për ta ngjitur atë në majë”, tha Rama./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT