Raporti i OSBE për 2020/ Presidenca shqiptare, e suksesshme

OSBE ka publikuar raportin vjetor për 2020, që përkon me vitin kur kjo organizatë, që është më e madhja që vepron në fushën e sigurisë dhe të bashkëpunimit me 57 vende anëtare, u drejtua nga Shqipëria.

Raporti thotë se Presidenca shqiptare e OSBE-së u përball me sfida të mëdha, që komplikoheshin akoma më shumë nga kriza e shkaktua nga pandemia e Covid-19.

“Viti 2020 shënoi 45 vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe 30 vjetorin e Kartës së Parisit për një Europë të Re, por gjithashtu u karakterizua nga një seri sfidash të reja dhe të papara. Shqipëria e nisi këtë presidence duke nënvizuar se si një shtet i vogël që ka pësuar një transformim të madh, forcë dhe stabilitet nga të qenit pjesë e këtij komuniteti të bazuar në vlera dhe tashme përmes Kryesisë, ajo u përpoq t’i shlyente borxhin Organizatës”, thuhet në raport.

Transformimi i punës së OSBE në terren, zbatimi i zotimeve të ndërmarra dhe ndërtimi e forcimi i stabilitetit përmes dialogut ishin tre përparësitë e vendosura nga Presidenca shqiptare. Duke cituar këto përparësi raporti thotë se zhvillimet e papritura që solli 2020 penguan realizimin e tyre.

“Ato kaluan në plan të dytë për shkak të pandemisë, që ishte një nga sfidat kryesore. Kësaj iu shtuan dhe vakancat në strukturat drejtuese të OSBE, situata ne Bjellorusi dhe konflikti në Nagorni-Karabak mes Armenisë dhe Azerbajxhanit”, thotë raporti.

Megjithatë, OSBE vlerëson se Presidenca shqiptare ja doli mbanë në mbylljen me sukses të drejtimit të këtij institucioni.

“Përballë këtyre fatkeqësive, Presidenca shqiptare zhvilloi aktivitete operacionale të OSBE-së në mënyrë efektive, edhe mes pengesave që dolën nga COVID-19 dhe emëroi strukturat e reja te Organizatës”, vijon raporti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT