Raporti/ Antikorrupsioni, vettingu një shpresë në Shqipëri, por vullneti politik mbetet i ulët

Vendet e Ballkanit Perëndimor miratojnë me sukses ligjet antikorrupsion, për të cilat janë zotuar përpara Bashkimit Europian dhe në kuadër të të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”. Por, kur vjen puna te zbatimi i këtyre ligjeve ngecin.

Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar publikoi dy raporte në lidhje me situatën e korrupsionit për gjashtë vendet kandidate për anëtarësim. Edhe në pjesën për Shqipërinë theksohet problematika e moszbatimit të legjislacionit.

Në rrugën e saj drejt BE, thotë raporti, Shqipëria është duke miratuar një paketë ligjesh antikorrupsion të avancuar, por si vullneti politik, ashtu edhe angazhimi i shoqërisë për zbatimin efektiv të këtyre ligjeve mbeten mjaft të ulëta.

Por, vlerësohen dy nisma: Vettingu në sistemin e drejtësisë dhe ai në radhët e policisë, si mekanizma me objektiv goditjen e praktikave korruptive në organet kyçe ligjzbatuese.

“Një shembull i mirë mbërrin nga Shqipëria me procesin e vettingut në radhët e policisë dhe në sistemin e drejtësisë. Këto reforma janë duartrokitur dhe mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë, është ende herët për të vlerësuar efektivitetin e tyre. Ajo që vlen të theksohet është se të dyja nismat janë të bazuara në ligje të miratuara, mekanizma zbatimi që japin shpresë për përmirësim në të ardhmen”, thuhet mes rreshtave të raportit.

GIATOC (Global Initiative Against Transnational Organised Crime) thekson gjithashtu mes rreshtave të raportit se pengesë për zbatimin e reformës në drejtësi kanë qenë përplasjet ndërinstitucionale, vonesat në emërime dhe mungesa e burimeve njerëzore.

“Reforma në sistemin e drejtësisë në përpjekjet për të luftuar korrupsionin janë prekur nga sherri ndërinstitucional, vonesat domethënëse në emërime dhe pengesa të tjera të shkaktuara nga mungesa e burimeve”, thotë raporti.

Me emërimin e kryetares së Byrosë Kombëtare të Hetimit, plotësimin gradual të kësaj byroje dhe rikthimin në funksion të Gjykatës së Lartë me një stok dosjesh prej 35 mijë çështjesh, sfida kryesore, vijon raporti, tashmë është dhënia e shembujve solidë sa u takon hetimeve, gjykimeve dhe dënimeve në përpjekjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Duke krahasuar legjislacionet dhe mekanizmat e parashikuara prej tij për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, raporti vëren se problematika kryesore e hasur në të gjashta vendet është e njëjtë; korrupsioni i organizuar, një miklim mes korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në rrugën e saj drejt BE, thotë raporti, Shqipëria është duke miratuar një paketë ligjesh antikorrupsion të avancuar, por si vullneti politik, ashtu edhe angazhimi i shoqërisë për zbatimin efektiv të këtyre ligjeve mbeten mjaft të ulëta.

Vlerësimi për Ballkanin

Raporti në vëzhgimin për Ballkanin thekson se ka nisma ligjore për forcimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor.  Kjo sipas raportit të siguruar nga Gazeta “Shqip”, kjo ngjall shpresat se gjërat do të përmirësohen në të ardhmen.

Po kështu edhe Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor, Ligji për Gjykatat dhe Projektligji për Prokurorinë në Maqedoninë e Veriut. Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka shembuj të tjerë të përpjekjeve të ngjashme për të promovuar transparenca, ndershmëria dhe përgjegjësia në sektorët e zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit, shumica e tyre të nxitur dhe të udhëhequr ndërkombëtarisht.

“Nisma të tilla janë të rëndësishme, pasi ato nuk janë vetëm pjesë e reformës në administratën publike, por synojnë të vendosin besimin e publikut në sistemin e drejtësisë penale. Zbatimi i ligjit dhe gjyqësori shpesh konsiderohen si lidhjet më të dobëta brenda infrastrukturës joadekuate antikorrupsion në rajon. Shumë raste të korrupsionit nuk raportohen, shumë çështje nuk ndiqen, hiqen nga prokuroria ose i mungon vullneti për t’i dërguar në gjykata  dhe mbetën vetëm në arkivë”, thuhet në raport.

Gjithashtu  vihet në dukje se “Shkalla e dënimit është relativisht e ulët, dhe edhe nëse është e suksesshme, fjalitë ndonjëherë janë nën minimumin e caktuar”.

“Duket se ‘alternativat ndaj burgimit’ (shpesh dënime me kusht të pezulluara) zbatohen lehtësisht për rastet e mëdha të korrupsionit në rajon. Në mënyrë të ngjashme, negocimi i fajësisë shpesh përdoret nga të pandehurit dhe prokuroria për çështjet e korrupsionit. Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina ilustrojnë këtë model, ku bërja e një marrëveshje jashtë ligjit shtrihet lehtësisht në bërjen e një marrëveshjeje brenda ligjit kur bëhet fjalë për raste të mëdha korrupsioni”, thekson raporti.

Si konkluzion  raporti thekson se  lufta ndaj korrupsionit kërkon përpjekje të vazhdueshme, edukim, parandalim dhe komunikim. Kjo pasi, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë shenja përparimi, por edhe pengesash.

“Korrupsioni mbetet një çështje e vazhdueshme dhe disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor luftojnë më shumë se të tjerët në trajtimin e tij për shkak të trazirave të brendshme politike. Në disa, besimi i rrënjosur thellë se korrupsioni është mënyra e funksionimit është akoma i pranishëm. Korrupsioni është një nga sfidat kryesore për sundimin e ligjit, mundësi punësimi  dhe jetese në Ballkanin Perëndimor. Ajo është e lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe me bazat e pushtetit politik dhe ekonomik. Ka elemente të kapjes së shtetit dhe shkon paralelisht me pastrimin e parave, evazionin fiskal, prokurimin publik selektiv, klientelizmin, patronazhin, mosndëshkimin, mungesën e ndarjes së qartë të pushteteve dhe pa mbikëqyrjen civile. Korrupsioni është një përbërës i rëndësishëm në paradigmën mbizotëruese të kulturës kriminale”, thuhet për vlerësimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT