Çorientohet PD/ Dje kërkoi me ngulm identifikimin elektronik, sot: Pajisja dështoi! Lejonte votimin më shumë se një herë

Votim dhe identifikim elektronik! Ky ishte kushti i vendosur nga Partia Demokratike para marrëveshjes së 5 qershorit, që i uli palët dhe u dakordësuan vetëm për identifikimin elektronik në të gjithë territorin e vendit, ndërsa votimi elektronik të testua në Njësinë 10 në Tiranë.
Sipas marrëveshjes, mbikëqyrja dhe zbatimi i identifikimit elektronik iu ngarkua zv.komisionerit të KQZ-së, që po sipas marrëveshjes i takonte Partisë Demokratike.
Por, në padinë voluminoze që ka dorëzuar këtë të diel në KQZ, Partia Demokratike thotë se identifikimi elektronik, i mundësuar falë një tenderi pa garë me vlerë mbi 20 mln euro, ka dështuar.
Opozita thotë se pajisja elektronike e vënë në përdorim për herë të parë në një proces zgjedhor në Shqipëri, jo vetëm që nuk e ndaloi votimin më shumë se njëherë të një personi, por lehtësoi atë. Sipas PD, kjo pajisje pranonte shenjën e gishtërinjve të personave të tjerë pavarësisht mjetit të identifikimit që ata kishin paraqitur.
PD thotë se në lidhje me këtë pretendim ka prova të pakundërshtueshme mbi bazën e të cilave bazohet edhe kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 9 qarqe.