Arben Kraja i SPAK flet për dosjet e bujshme/ Nga grabitja e pronave, vrasjet dhe korrupsioni i zyrtarëve

Kreu i SPAK, Arben Kraja, gjatë një interviste në emisionin “Breaking” në Top News, ka folur në lidhje me punën që ky institucion ka bërë gjatë kësaj periudhe dyvjeçare. Zoti Kraja ka folur për çështje të rëndësishme apo për personazhe të njohur të krimit të organizuar. Gjithashtu ka komentuar edhe arrestimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha apo edhe për rastet e shit-blerjes së votës në zgjedhjet e 25 prillit.

Duke folur për vrasësin me pagesë, Kasemi, Kraja u shpreh se krimi i organizuar ka lidhje edhe me jashtë. E kjo nuk ka të bëjë vetëm me shkëmbimin e drogës, por edhe me njerëz për të bërë vepra penale. Kreu i SPAK shtoi se autori është dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërsa në lidhje me çështjen e gjyqtares, Enkeleida Hoxha, Kraja e cilësoi një rast të goditjes së SPAK. Ai shtoi se çështja e gjyqtares është drejtë përfundimit dhe do shkojë në Gjykatë ku do ketë edhe vendim përfundimtar.

“Ajo ishte një ngjarje shumë e rëndë nga pikëpamja e sistemit të drejtësisë. Kishte raste që persona ishin dënuar në mënyrë jo të rregullt. Çështja është drejtë përfundimit dhe do shkojë në Gjykatë ku do ketë edhe vendim përfundimtar. Ligji është i tillë që gjyqtari duhet të japë një vendim brenda një kohe të caktuar. Kur një vendimmarrje është në lidhje me një përfitim të parregullt kjo përbën problem”, tha kreu i SPAK.

Ky i fundit u pyet edhe në lidhje me grabitjen e Rinasit dhe Talo Çelën, i cili është person në kërkim.

“Ai është person në kërkim. Policia e Shtetit merret përditë me atë punë. Mbledhin informacion ta identifikojnë ku është dhe ta arrestojnë”, tha Kraja.

Zoti Kraja nuk la pa përmendur edhe çështjen e shitblerjes së votës në zgjedhjet e 25 prillit. Kreu i SPAK tha se denoncimet nga qytetarët, subjektet politike, por dhe media kanë qenë të shumta. Sipas tij për rastet që kanë qenë kompetencë e strukturës së SPAK kanë nisur hetimet.

“Kemi pasur shumë denoncime, nga subjektet, nga policia, media dhe të gjitha janë vlerësuar me përparësi. I gjithë sektori që kemi ka qenë në dispozicion të rasteve të tilla dhe kur ka qenë kompetencë e jona kemi filluar hetimet. Hetimi ka kohën e vet, ka afate ligjore dhe kur të përfundojë ne do i bëjmë me dije rezultatet. Në Ditën e Drejtësisë dua të jap mesazhin që ne jemi aty, jemi shumë serioz dhe do vazhdojmë kështu si e kemi nisur”, u shpreh Kraja.

“Në Shqipëri vëmendje të madhe marrin edhe ndërtuesit e objekteve të ndryshme, ku shpesh përdoren emra të ndryshëm personash pasi tjetër kush i posedon ato. A po hetohen grupet kriminale të goditura për pastrim parash në fushën e ndërtimit?”, ishte pyetja e radhës që iu drejtua Krajës.

“Ka një hetim pasuror themi ne. Ishin hetimet pasurore që kryem ne në kuadër të aktit normativ, pra operacioni forca e ligjit, që patëm rreth 251 raste të referuara nga Policia e Shtetit dhe që u zgjidhën nga ana jonë. Aty ka pasur shumë verifikime të investimeve të kryera nga persona që janë të përfshirë në akte kriminale. Por edhe në bazë të ligjit anti-mafia, ne aplikojmë shumë verifikime pasurore dhe pastaj bëjmë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë”, tha kreu i SPAK.

Arben Kraja ka theksuar gjithashtu se korrupsioni është pika më problematike në vendin tonë, por nuk mbetet jashtë edhe tregu informal.

“Nga pikëpamja e korrupsionit ka më shumë problematika, por edhe nga tregu informal. Ka shumë informalitet që e bën më të vështirë të hetosh e të mbledhësh prova”, tha Kraja.

Ndërsa në lidhje me kërcënimet që mund të marrin nga personazhe që janë pjesë e botës së krimit, Kraja tha se janë përzgjedhur për të përballuar çdo presion.

“Prokurorët punojnë me personazhe të ndryshëm, por ne jemi përzgjedhur për të përballuar presionet, kemi kushte shumë të mira pune. Ne kemi bërë një marrëveshje që duhet të jemi në rregull me ligjin dhe standardin që kemi”, u shpreh kreu i SPAK.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT