Çupi: Meta duhet të shkarkohet sa më shpejt, rrezik për stabilitetin në vend

Gazetari dhe analisti Frrok Çupi ka përshëndetur nismën e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra. Në një intervistë për “Report TV”, ai deklaroi se qëndrimi i Metës në detyrë përbën rrezik ndaj ai duhet të largohet.

“I përngjan një mbetje që është e dëmshme dhe e rrezikshme, qëndrimi i tij në presidencë është i rrezikshëm pasi vë në provë stabilitetin dhe pengon ngritjen e drejtësisë. Ky çiban duhet hequr. Meta që nga Lufta e Dytë Botërore, është i vetmi në Evropë që shkarkohet nga Parlamenti. Emri i ri mjafton të mos jetë si Ilir Meta. Kemi nevojë për njerëz të zakonshëm, llojit të Metës i ka ikur koha”, ka thënë ai. Çupi është ndalur dhe tek zhvillimet në sistemin e drejtësisë.

Rasti më i fundit është kërkesa e SPAK për të nisur gjykimi ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu. Sipas Frrok Çupit, SPAK po jep sinjale se po shkohet tek dosjet e bujshme. “Gërdeci është çështje më e rëndësishme pasi drejtësia ka qenë skllave e presidentit dhe partisë. Më në fund ne fillojmë epokën e drejtësisë, falë edhe SHBA-së. Kjo është porta për të hyrë në gjithë krimet që janë kryer këto 30 vjet”, u shpreh ai.

Kërkesat ankimore të PD për rivotim në 9 qarqe pas rezultateve të 25 prillit, për analistin Frrok Çupi janë procese për të shmangur vëmendjen nga zërat që kërkojnë dorëheqjen e Bashës. “PD bën kërkesa për të zmbrapsur kërkesat e anëtarësisë së tij, duke kërkuar të fitojë kohë për lidershipin. Arritjet ligjore nuk bëhen nëpërmjet funksioneve politike.

PD e ka mbyllur ciklin e me këtë rast dëshmoi që është jashtë kohe. PD ka një trashëgimi kriminale, pasi ata kanë shkaktuar vrasje masive në këtë vend. Në PD ka degjeneruar misioni votimit apo garës, pasi ka sunduar gjithmonë Sali Berisha në formën e tij dhunuese”, deklaroi ai. Lidhur me shkarkimin e Metës ka folur edhe gazetari Baton Haxhiu, i cili duket më skeptik.

“Edi Rama dhe PS nuk kanë asgjë personalisht me Ilir Metën, ka të bëjë me shkeljen e Kushtetutës duke sjellë si raste flagrante mos dekretimin e Gent Cakaj si ministër të Jashtëm dhe Sandër Lleshaj si ministër të Brendshëm”, tha ai. Haxhiu shtoi se ftesa e Ramës për opozitën mbetet në fuqi edhe nëse Meta nuk shkarkohet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT