Figura e gruas shqiptare në monedhat e Shqipërisë

Pëllumb Vreka

 

Këto ditë, doli në qarkullim, një libër-album jashtëzakonisht i rrallë, pothuajse unik në Shqipëri, nuk është fjala për ndonjë botim me poezi, tregime, novela apo roman, por, një botim i titulluar: “Gruaja, në monedhat kombëtare.”

Autorja, Elsa Zhulali, e cila është diplomuar në “Universitetin Amerikan” të Selanikut, Greqi, në degën histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare, aktualisht punon prej dhjetë vjetësh në Bankën e Shqipërisë, në sektorin e integrimit europian. Krahas ushtrimit të profesionit të saj, ajo herë pas here boton shkrime të karakterit historik dhe edukativ.

Pak histori

Për herë të parë, roli i gruas shqiptare, u bë i njohur në vitin 1920, me intelektualen dhe aktivisten shqiptare, Shaqe Marie Çoba, e cila themeloi organizatën: “Gruaja shqiptare”, në mbrojtje të të drejtave të grave e vajzave shqiptare.

Gruaja shqiptare, qysh atëherë, ka qenë aktive në shumë drejtime, por ajo që këtë botim e bën unik, është “Figura e gruas shqiptare në monedhat e Shqipërisë”, një zhanër i panjohur publikisht më parë.

Në botë, gruaja është vendosur në monedha që në kohët antike,  si në ato të artat, argjendit por edhe të plumbit. Fillimisht ato ishin figura të grave të pushtetshme ose figura “hyjnore”, siç ishin perëndeshat, për ne më të njohurat janë, ato greke e romake, si ajo e begatisë, dashurisë, gjuetisë dhe luftës.

Monedhat me figura të ndryshme, por veçanërisht me gratë, stampoheshin në mënyrw artizanale, me një cikël të posaçëm zinxhir ku merrnin pjesë, skicografi apo grafisti që përgatiste modelin sipas porosisë së mbretit apo perandorit, gdhendësi i figurës që e kryente në metal të butë si plumbi ose bakri, gdhendja ishte me dy faza, pamje pozitive sipas skicës së dizenjatorit dhe negative për nxjerrjen pozitive të figurës.

Pas gdhendjes, fonderisti përgatiste një aliazh të fortë, sipas kushteve e mundësisë, me të cilin realizonte derdhjen dhe daljen në pah të një modeli negativ, i cili vendosej mbi fleten e llamarinës së artë apo të argjendtë (të dyja të buta) dhe goditej fortë, duke nxjerrë në pah figurën por edhe formën e prerë të monedhës. Më vonë forma u vendos në presues me krahë e fileto që shtrëngonte modelin mbi metalin e dëshiruar.

Sot, kjo praktikë e prodhimit të monedhave është pothuaj e njëllojtë në gjithë ato vende që e prodhojnë, me anën e një skicografi, skulptori, pantografi e në fund me një çekiç pneumatik.

Nejse, këto ishin sa për kuriozitet, tani të vazhdojmë me botimin e librit të Elsës, i cili përmban historikun e vendosjes së gruas në kartëmonedhat shqiptare qysh nga koha e Ismail Qemalit, me frangat shqiptare, e deri kur u hoqën nga qarkullimi kartëmonedhat kineze.

Në shekullin e njëzetë shumë shtete kishin në monedha e kartëmonedha gra të pushtetshme ose edhe gra, figura të njohura të vendit, më e veçanta krahas kartëmonedhave të Bolivisë, Argjentinës, Kongos, Ugandës, Afrika Qendrore,  Italia,etj, ishte dhe mbetet sterlina angleze, e cila qarkullonte jo vetëm në Angli me mbretëreshën, por, edhe në protektoratet e saj, në Australi dhe Zelandën e Re.

Fillimisht pas çlirimit, për të hequr nga qarkullimi kartëmonedhat e prodhimit italian (franga), ato u prodhuan në Jugosllavi, se serinë e tyre, sipas stilit te dinarit jugosllav kishte edhe një grua e cila mbante në duar kalli gruri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, prodhimi i tyre u transferua në Bashkimin Sovjetik.

Gjithmonë, sipas studimit të saktë, të autores, Elsa, edhe atje u vendos te prerja pesëqind lekë, një grua me duaj gruri në krah,tipike, kolkoziania sovjetike e rublës së saj.

Me kalimin e viteve, kemi një ndryshim të rolit të paraqitjes së gruas në kartëmonedha, kjo për faktin se në vitin 1964, prodhimi i monedhave dhe i kartëmonedhave, kaloi nga Bashkimi Sovjetik, në Republikën e Kinës.

Në prerjet e reja, në Kinë, kemi një zgjerim të figurës së gruas vendosur në kartëmonedha, duke bërë edhe ndryshimin si “leku i ri”, paçka se edhe sot pas pesëdhjetë vjetësh akoma flasim me termin “leku i vjetër”, jo vetëm në një prerje, por në katër prerje, duke filluar me pesëdhjetë lekëshin, ku gruaja vendoset në rreshtin e parë të brigadës partizane që hyjnë triumfatore në çlirimin e Tiranës, në njëzetë e pesë lekshin ku gruaja ka, siç ka qenë, një tufë me kalli gruri, tek dhjetë lekëshi si një grua që mban shportë me rrush, etj.

Në të gjitha këto prerje, prezenca e gruas argumentohej me faktin që gruaja është, “forcë e madhe në ndërtimin e socializmit”.

Në fund, autorja, historikun e gruas në kartëmonedha e mbyll me kartëmonedhat e prodhuara deri në vitin 1976 nga kinezët. Elsa përmend një fakt historik pavarësisht se nuk bëhet fjalë për një grua, por, në veçanti për udhëheqësin e vendit të asaj periudhe, të Enver Hoxhës, ku sejmenët e tij propozuan që të përgatisnin dy modele kartëmonedhash me rastin e dyzet vjetorit të ushtrisë, njëra me pamje të thjeshtë dhe tjetra, veshur ushtarak (si Titua në dinarin jugosllav) por, që Enveri nuk e pranoi, me thënien: “Ta lemë njëherë këtë punë!”

Në vitin 1984, plotëson Elsa historikun e gruas, u propozua që për efekt të kursimit të letrës, pasi letër-kartëmonedhe të pa stampuar kishte në thesar, të prodhonim në vend kartëmonedha me: “Forcat tona”!! Letra në thesar ishte me filigranin: B.SH.SH. dhe yllin.

Në botimin e saj autorja boton kartëmonedhën e vogël në përmasa, pesëqind lekëshe me një grua që ndodhet në mes të fushave me … luledielli.

Kjo do të ishte me luledielli, që të mos konfondohej, gjithnjë sipas porosisë, me gratë e vendosura në prodhimin kinez, me grurë, rrush apo punëtore tekstili.

E çuditshme është koincidenca, që autorja faktikisht atë kohë nuk e ka përjetuar, që lulja e diellit, përkon katërcipërisht, me një porosi që jepte Hrushovi i Bashkimit Sovjetik, i cili e porosiste Enverin duke i thënë: “Enver, lëreni grurin, mos u merrni me të, sa grurë u nevojitet juve, aq e hanë minjtw në hambaret tona, përqendrohuni te lulja e diellit, ajo ka interes”!!

Edhe ne kështu na u dha porosia, vendosni një grua në mes të lulediellit, kartëmonedhë, e cila pavarësisht se ishte me ofsseit, qarkullo disa vjet nëpër Shqipëri, me ndryshimin që, po me porosi, të dilnim nga modeli kinez me kornizë dhe ne u mbështetëm tek kartëmonedha argjentinase si model.

Me këtë kartëmonedhë merr fund dhe historiku i treguar me mjeshtëri e art, nga Elsa Zhulali, i rolit të gruas në kartëmonedhë. Botimi i librit-album nga shtypshkronja “Gent Print”, është jashtëzakonisht modern, i cili, qysh në kopertinë të jep të kuptosh se talenti i botuesve të librit, pastërtia e pamjeve, cilësia e lidhjes, etj, tregojnë mjeshtëri modern.

Ky botim, sot për sot, është unik në Shqipëri, të shohim më vonë se ç’të re do na sjellë studiuesja Elsa Zhulali me eksperiencën e veçantë të saj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT