Një akt i KQZ pengon hapjen e kutive të votimit

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar sanksionon se kutitë e votimit mund të hapen, por me një kusht.

Në nenin 167/2 të Kodit thuhet se çdo parti mund të kërkojë këqyrjen e fletëve të votimit dhe materialit zgjedhor, pra hapjen e kutive dhe rinumërim kundrejt një pagese të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas Institutit të Studimeve Politike problemi është se Komisioni Rregullator nuk ka përcaktuar ende këto tarifa.

“Procesi zgjedhor ka hyrë në fazën ankimore dhe KAS po merr vendimet e para, ndërkohë që Rregullatori nuk ka nxjerrë ende aktin normativ mbi tarifat e shërbimit administrativ të verifikimit të materialeve dhe votave në kutitë e votimit. Nxjerrja e aktit duhej bërë përpara se të diheshin cilat janë subjektet e interesuara dhe interesat specifike politike të tyre”, thotë ISP.

E thënë më thjesht, kërkesat e mundshme të partive politike për hapje kutish mund të mos realizohen për shkak të mungesës së një akti normativ, që buron si detyrim nga një ligj organik, siç është Kodi Zgjedhor.

Zgjidhja? Sipas ISP është një.

“KQZ përmes Rregullatorit duhet të përcaktojë çmimet referuese dhe të nxjerrë aktin përkatës, duke mbajtur në konsideratë interesin ligjor dhe publik për transparencë të procesit zgjedhor dhe për besueshmëri të administrimit zgjedhor”, thotë Instituti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT