Basha: Nuk është më sekret, masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me demokratët në Fier. Në fjalën e tij, Basha është ndalur te zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke thënë se kjo ditë u kthye në një nga vjedhjet më të mëdha të këtyre 30 viteve.
Më tej, kryedemokrati ka deklaruar se beteja e nisur para 25 prillit ishte një betejë për shqiptarët, ndaj dhe sipas tij, do të vazhdojë për ta, për Shqipërinë dhe demokracinë.
“Padiskutim me këtë vjen edhe konkluzioni i dytë, i cili besoj se nuk është sekret as për strukturat tona dhe as për qytetarët shqiptarë. Masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet, rezultati i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve nuk do të pranohet.
Për këtë nuk ka pikë diskutimi. Beteja do të vazhdojë, beteja do të vazhdojë pikërisht për ata të cilët e nisëm, jo për karrigen time.
Beteja jonë do të vazhdojë për shqiptarët, beteja jonë do të vazhdojë për fierakët, beteja jonë do të vazhdojë për prindërit që duan t’i rrisin e t’i mbajnë fëmijët këtu. Beteja jonë do të vazhdojë për Shqipërinë dhe për demokracinë”, deklaroi Basha.