Basti i humbur, a do ta mbajë premtimin kryetarja e LSI?

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, postoi një video në rrjetet sociale me kushërirën e saj, këngëtaren Bebe Rexha ku ndodheshin në lokalet e Los Anxhelosit Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, Kryemadhi ka pasur vetëm një dalje të saj në publik, ku i kërkoi falje Ilir Metës që hoqi dorë nga mandatet dhe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 2019.
“Koha dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i presidentit të Republikës kishte i drejtë. Prandaj dua që në emër të LSI dhe timin personal t’i kërkoj falje për këtë qëndrim, që nuk solli gjë tjetër vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe oligarkët”, tha Kryemadhi në një konferencë për mediat.
Presidenti Meta e pranoi faljen e Kryemadhit dhe e lajmëroi se me 22 Korrik pas mbarimit të mandatit të tij do rikthehej në LSI.
“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, deklaroi zyra e shtypit të Presidencës.
Pas kësaj dalje Kryemadhi duket se është larguar me pushime pas zgjedhjeve elektorale, ku partia e saj pësoi humbjen më të madhe duke u tkurrur në 4 deputetë. Aleati i saj politik kreu i PD, Lulzim Basha po zhvillon zgjedhje në parti me datë 13 qershor, qoftë edhe formale, kjo edhe pas presionit brenda Partisë Demokratike, edhe pse kjo nuk ka lidhje me faktin e drejtpërdrejtë për rezultatin zhgënjyes të zgjedhjeve.
Duket se partia e Kryemadhit nuk ka ndërmend të zhvilloj zgjedhje në LSI edhe pas humbjes së thellë që pësuan në zgjedhjet e 25 prillit.
E ftuar në një emision televiziv para zgjedhjeve të 25 prillit Kryemadhi deklaroi se “nëse unë marr 19 mandate atëherë e quaj dështim dhe jap dorëheqje”. LSI jo vetëm që nuk mori 19 mandate, por humbi 15 prej tyre dhe për këtë dështim zonja Kryemadhi nuk dha dorëheqje nga drejtimi i partisë.
Në statutin e LSI, kryetari zgjidhet njëherë në 4 vjet, ndërkohë pa mbushur akoma mandatin, Kryemadhi më 22 nëntor 2020 kërkon zgjedhje në LSI. Ajo kandidon e vetme, ndërkohë pas humbjes së thellë të 25 prillit Kryemadhi nuk u largua nga partia dhe nuk ka hapur garë për kreun e ri të saj.
E ftuar në një emision televiziv Kryemadhi tha se Meta duhet të kandidojë përballë meje nëse do të marr kreun e LSI. Ende nuk dihet nëse do kemi një përballje, burrë e grua për kreun e LSI. Gjithçka varet nga vendimi i komisionit parlamentar për shkarkimin e Metës dhe i Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e garës në LSI për kryetar partie para apo pas 22 korrikut 2022./Gazeta Shqip