Kushërinjtë që fundosën një ministër! Përgjimet e Habilajve dhe si u shfajësua Saimir Tahiri

Më 17 tetor të 2017-ës, një portal siçilian i quajtur Meridionews publikon lajmin me titull: “Biznesi i drogës nga Shqipëria në Katania me në krye kushëririn e ministrit shqiptar”. Ky ishte lajmi që do të trazonte ujërat në Tiranë, Romë e Katania për muaj me radhë.
Artikulli bënte fjalë për një operacion të Guardia Di Finanza, që ishte finalizuar pas tre vitesh përgjimesh ndaj një organizate kriminale shqiptare që ushtronte aktivitetin e saj në trafikun e hashashit nga brigjet e Vlorës në drejtim të Italisë.
Urdhër-arrestet u lëshuan ndaj 15 personave, një pjesë e të cilëve ndodheshin në Shqipëri në atë kohë. Mes të arrestuarve ishte edhe Moisi Habilaj. Në artikull me autor gazetarin Dario de Luca thuhej se në dosjen voluminoze me mbi 400 faqe, policia e Katanias zotëronte përgjime të shumta telefonike, mes të cilave edhe një bisedë mes Moisi Habilajt dhe një anëtari tjetër të grupit kriminal, teksa flisnin për një kushëri me emrin “Saimir”.
Meridionews hidhte dyshimet se personi me emrin “Saimir” ishte pikërisht Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, që ishte dorëhequr nga ky post në mars të 2017-ës, ende pa shpërthyer mirë dosja “Habilaj”.
Çfarë përmbanin përgjimet?
Gjykata e Katanias, në dosjen prej më shumë se 400 faqesh, që vulosi fatin e Moisi Habilajt dhe bandës së tij, përmend edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Pjesë e kësaj dosje është një përgjim i datës 16 dhjetor të vitit 2013 i një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, kur ata sipas vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve italianë, përmendin ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri. Hetuesit italianë bëjnë një përmbledhje të kësaj bisede.
“Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, thonë hetuesit italianë.
“Sipas Sabit, e rëndësishme është që të mos bëjë pyetje, të mos thotë emra dhe më e rëndësishmja të mos i dalë emri atyre që i kanë dhënë para’ atij. Por, Moisiu i përgjigjet që nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë. Nga ana e tij, Sabi përsërit frikën që ka që nipi do të flasë për të tjerë që i ka dhënë para atij”.
Ky nuk është i vetmi rast që përmendet emri i Saimir Tahirit. Policia Italiane ka të evidentuar dhe automjetin tip “Audi” me targa AA 003 GB, me të cilin dy personat në fjalë kanë udhëtuar në drejtim të Siçilisë. Makinë e cila është në emër të Saimir Tahirit.
Në përgjimin e datës 2 mars 2014, thuhet se mes të arrestuarve është zhvilluar një bisedë për ndarje parash.
“Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”, thuhet aty.
Në pasazhe të ndryshme në dosje se si Moisi Habilaj i tregon bashkëpunëtorëve të tyre italianë se sa e thjeshtë është të trafikosh mes Shqipërisë pasi policët janë të korruptuar. Gjatë bisedës mes Moisi Habilaj dhe Sebastiano Greco, Moisiu i thotë se nëse shkon në Shqipëri do ta kuptojë se policia është e korruptuar. “Madje në disa raste, është vetë shefi i policisë që i ndihmon të fusin në makina thasët me lëndë narkotike”, thotë ai.
Siç është dokumentuar në dosje, në maj të vitit 2015, peshkarexha italiane “Fatima” është ankoruar në gjirin e Porto Palermos, ku pasi është ngarkuar me lëndë narkotike është nisur në drejtim të Italisë. Hetimet kanë nisur në vitin 2013 dhe gjatë kësaj kohe, policia italiane ka arritur të bllokojë 3500 kg kanabis. Hetuesit kanë zbardhur edhe procesin e kultivimit të hashashit në Shqipëri, proces të cilin trafikantët kishin punësuar edhe femra.
1: Ç’a bën zemra, si është koha andej?
2: Koha është e vrenjtur. Ne po e mbledhim se është tharë.
1: E mblodhët dot? Thuaj Erit të ngul disa hunj dhe të vërë nga ato llamarinat e vjetra në të dy anët e stallës. Po Shqipja me Lelën erdhën?
2: Nuk e morëm dot të gjithën se u prish zetori.
Moisi Habilaj në shumicën e kohës qëndronte në Itali, ndërsa i vëllai, Floriani, merrej kryesisht me problemet që lindnin në Shqipëri.
Në dosje përmendet takimi me një person të njohur si “Kapo”, siç del nga përgjimet dhe jepte shpjegime mbi dështimin e transfertave të drogës dhe konfliktet e grupeve të tjera.
F: Jam nisur që dje në Tiranë dhe tani sapo erdha në Fier.
M: Pse?
F: Më kërkoi shefi i madh
M: Cfarë kërkonte?
F: Asgjë, për këtë… për situatën
M: Aha…fole direkt me të?
F: Më priti në 11:30, më dërguan edhe taksi të më merrnin
M: E çfarë të tha?
F: Më pyeti si është situata
M: Që domethënë…?
F: Më tha që të mos shqetësohesha, sepse është çështje orësh dhe se të mos mendohesha shumë.
M: Duhet t’i thoshe që ne nuk kemi asnjë faj, këtë duhet t’i thoshe.
F: Po ja thash që ne nuk kemi faj e më tha që ata e bëjnë qëllimisht që unë t’i telefonoj
M: Edhe ne e kemi ditur këtë gjë dhe për këtë arsye nuk e kemi shqetësuar
F: Ai më tha që e kemi telefonuar dhe i kishte kërkuar që të mos përzihej me lojërat e fatit.
M: E kishte telefonuar (Duke nënkuptuar një person të tretë)
F: E kishte telefonuar ky i madhi.E kishte marrë në celular. Unë i thashë që ne nuk godasim, na ka shqetësuar na ka shkatërruar të gjithë biznesin.
M: Në rregull
F: Më tha, “ik i qet mos u shqetëso”.
Policia italiane nuk ka një shpjegim se kush është kapo që kontrollon dhe mban qetësinë. Policia italiane ka përgjuar me shumë kujdes trafikantët menjëherë pas aksioneve të drogës. Meridian Sula duke folur për kapjen e një sasie prej 1300 kg hashash shpreh keqardhjen sikur të kishte humbur një fëmijë.
Meridiani thotë se i kishte parë policët italianë kur merrnin në supe drogën. Të arrestuarit ankohen me njëri-tjetrin se nga aksionet e policisë kanë humbur sasi të mëdha hashashi në Itali dhe se kanë në Shqipëri borxhe deri në 1 milionë euro. Droga shkonte në Itali jo vetëm me skafe, por edhe me peshkarexha.
Moisi Habilaj dhe Armando Sulaj janë përgjuar duke folur për peshkarexhën që do të ngarkohej me hashash.
Edhe në peshkarexhën me emrin “Fatima” janë kryer përgjigje ambientale për disa muaj. Anëtarët shqiptarë dhe italianë janë regjistruar gjatë përgatitjeve për transportin e hashashit. Në fund gjykatësja, Loredana Pezzino, firmosi urdhër arrestet me burg për 12 anëtarët e bandës, mes të cilëve edhe vëllezërit Habilaj.
Si u mbrojt Saimir Tahiri?
Saimir Tahiri nuk e mohoi për asnjë moment se me Moisi Habilajn kishte lidhje gjaku, por mohoi se ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Prova më e fortë që ngrihej akuza ndaj Tahirit ishte makina Audi, për të cilën u provua se është përdorur disa herë nga Moisi Habilaj, pavarësisht se ajo ishte nën emrin e ministrit të Brendshëm të asaj kohe.
Tahiri u mbrojt duke deklaruar se makinën e kishte shitur, por nuk kishte bërë dot transferimin e letrave për shkak të një vendimi gjyqësor. “Mungesa e pronësisë ka ndodhur për shkak të vendimit të bllokimit nga Përmbarimi. Në vitin 2013 kam qenë deputet në opozitë. Por jam dënuar me shpifje ndaj Argitës dhe Shkëlzenin. Shitja e makinës time është reflektuar në deklaratën e pasurisë”, deklaronte ai.
Tahiri pranoi gjithashtu se kishte udhëtuar në më shumë se 2 herë me këtë makinë edhe pasi e kishte shitur, por mohoi se i kishte bërë këto udhëtime me ndonjë nga vëllezërit Habilaj, të akuzuar për trafik lëndësh narkotike.
Në maj të 2018-ës, Tahiri heq dorë edhe nga mandati i deputetit, i fituar në zgjedhjet e 2017-ës, ndërsa në shkurt të 2019-ës merret zyrtarisht i pandehur nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Procesi gjyqësor në ngarkim të tij vijon ende, ndërkohë që për Moisi Habilajn ka edhe një vendim ë drejtësisë italiane që e dënoi me 15 vite burg. Por, Habilaj është zhdukur pa lënë gjurmë që prej janarit të këtij viti, duke shfrytëzuar një vendim të ndërmjetëm të gjykatës që e la në arrest shtëpie para se Apeli i drejtësisë italiane të jepte vendimin përfundimtar./Gazeta SHQIP