Spiropali ndjen keqardhje për Sali Berishën: Pse nuk u lumturova nga vendimi për shpalljen “non grata”

Ministrja për marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali deklaroi sot se nuk u lumturua aspak për vendimin e SHBA për të shpallur “non grata” Sali Berishën.
Spiropali tha në Kuvend se ndjeu keqardhje për ish-kryeministrin, ndërsa kujtoi zullumet e tij. Sipas saj, Berisha nuk u shkëput kurrë nga mendësia klanore dhe komuniste.
“Dënimi moral e kapital i Sali Berishës nga aleati ynë më i madh strategjik, nuk më lumturoi aspak. Përkundrazi ndjeva keqardhje që zullumet e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit tim, familjes së tij dhe aleatëve të tij politikë, mbushen botën anëmbanë. Keqardhje që Sali Berisha hyri në jetën e ndryshimeve demokratike të Shqipërisë me vendosmërinë e një shqiponje, por po del i turpëruar i shoqëruar nga prokama ndjellakeqëse e korbave të zinj. Keqardhje që deliri i Sali Berishës për madhështi, u zvjedh dhe u zhbë. Keqardhje që karizmën e tij të lindur prej lideri, Sali Berisha nuk e përdori kurrë për të bashkuar, dhe shëruar, por për të futur thikën e përçarjes mes shqiptarëve, veri-jug, Shqipëri-Kosovë. Keqardhje që nën hyqmin Haxhiqalimist të Sali Berishës asnjë drejtues politik dhe asnjë përfitues biznesi nuk mbajti përgjegjësi për Gërdecin e viktimave, për 21 janarin e vrasjeve në bulevard.”
Spiropali kritikoi edhe qëndrimin e Lulzim Bashës vendimin e DASH, ndërsa tha se “Berisha-Basha janë dy krijesa simbiotike”.
“ Reagimi i Lulzim Bashës ishte për të qeshur dhe për të qarë. Vetë reagimi i Bashës që duket si i shkruar me bojën e Sali Berishës, është prova se nuk mund të gjallojnë pa njëri tjetrin. Angazhimi i SHBA do të vazhdojë, lufta frontale është pa kthim. Me fatet e vendit nuk bëhet shaka. Sala dhe Luli janë dy krijesa simbiotike”, tha Spiropali./Gazeta SHQIP