Zhdukja e Remzi Hoxhës, avokati Gashi: Pista kryesore, filmimi i Berishës me famëkeqin Arkan

Ditën e sotme në emisionin “Breaking” në Top News, u ngrit pyetja nëse tani që Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA, a ka drejtësia shqiptare mbështetje më të madhe për të hetuar në lidhje me vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës?
Kësaj pyetje iu përgjigj avokati i njohur, Tom Gashi, i cili tha se një nga pistat më të mëdha të kësaj ngjarje tragjike, është se Berisha është filmuar me famëkeqin, Arkani, i cili ka vrarë qytetarë civilë në Kosovë.
“Familja e Remzi Hoxhës ka mundësi që të hapë hetimet për këtë ngjarje, për vrasjen e një atdhetari që ishte në mision për grumbullimin e armëve për luftën që do të niste në Kosovë. Familja e ka akuzuar direkt Berishën në implikimin e vrasjes së tij. Familja kërkon drejtësi që nuk e ka marrë për 25 vite. Mbetet çështje e shtetit shqiptar, por ata nuk mund të heqin dorë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me Remzi Hoxhën. Duhet të dihet e vërteta e lidhjes së Berishës me ngjarjen e rëndë”, tha Gashi.
Sipas avokatit, Berisha akuzohet edhe lidhur me kontrabandimin e naftës në atë periudhë.
“Berisha nuk i ka mohuar akuzat që Shqipëria ka ekspertuar naftë në atë kohë. Por ka mohuar se ka pasur takime me famëkeqin. Për 30 vite Berisha nuk ka bërë gjëra të mira, dhe meritat që i ka vënë vetes nuk janë të tij, por të popullit shqiptar. Ka ardhur koha të dimë se çfarë ka ndodhur në periudhën e Berishës, ku duket se me vendimin e fundit i është vënë pika”, tha avokati i njohur.