NATO ‘blindon’ Tiranën/ Rama falënderon Yuri Kim: I ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy vendeve

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim për rolin e saj në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e stërvitjes “Defender 21” në Tiranë, Rama tha se diplomatja me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënies mes dy shteteve. Kryeministri u shpreh se miqësia Shqipëri-SHBA do jetë e përjetshme.
“Duhet t’i bëj një falenderim të posaçëm ambasadores Yuri Kim, e cila me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënies mes dy shteteve. Duke mbështetur kërkesat dhe nevojat e vendit tonë, qoftë në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të drejtësisë. Besimi që SHBA ka treguar me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje ushtarake, e cila jo rastësisht është stërvitja më e madhe me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në rajonin tonë.
Uroj që miqësia e madhe Shqipëri –SHBA të jetë e përjetshme dhe siç tha ambasadorja të vazhdojë të jemi krah për krah, sot nesër dhe përgjithmonë.”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi edhe përkushtimin e FA, e cila sot renditet krah ushtrive më të mëdha të globit.
“Dëshiroj që përveç mirënjohjes për të gjithë ata me uniform që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe përbëjnë edhe garancinë dhe sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe Shqipërinë me përkushtimin dhe sakrificat e tyre të shpreh mirënjohje edhe për familjet e tyre. Familje që sakrifikojnë çdo ditë që janë të parat që preken nga emocione për shkak të përfshirjes së familjarëve të tyre në FA. Sot dua të falenderoj të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje domethënëse nga SHBA dhe të gjithë vendet e tjera.”, tha Rama./Gazeta SHQIP